Biden njofton masa të reja për të ulur çmimin e naftës

Presidenti amerikan Joe Biden urdhëroi futjen në treg për gjashtë muaj të 1 milion fuçive nafte në ditë nga rezervat strategjike të vendit me naftë, në një përpjekje për të ulur çmimin e saj, që shënoi një rritje të re me fillimin e agresionit të Moskës në Ukrainë.

Marketing

“Nëse duam çmime më të ulëta të gazit, duhet të kemi më shumë furnizim me naftë dhe tani”, tha Presidenti Biden.

“Ky është një moment pasojash dhe rreziku për botën e dhimbjeje tek pikat e karburantit për familjet amerikane”, shtoi ai.

Presidenti Joe Biden akuzoi të enjten kompanitë amerikane të naftës se po gëzojnë fitime rekord ndërsa amerikanët po paguajnë çmime të larta për benzinën.

“Kjo nuk është koha për fitime rekord, është koha për veprime për të mirën e vendit tuaj”, tha Presidenti Biden duke iu drejtuar kompanive që operojnë në këtë fushë.

Presidenti po i kërkon gjithashtu Kongresit t’i vendosë gjoba financiare kompanive të naftës dhe gazit në vend, që japin me qira toka publike, por që nuk prodhojnë. Ndërkohë zoti Biden synon të përdorë një ligj federal për të inkurajuar masa që synojnë kalimin tek burimet më të pastra të energjisë dhe për të zvogëluar varësinë nga kaburantet fosile. Të gjitha këto masa tregojnë se nafta vazhdon të jetë një pikë e dobët për Shtetet e Bashkuara. Administrata synon që me këto lëvizje, siç është futja në përdorim e rezervave të naftës, të ushtrojë trysni për të ulur çmimin, por Presidenti Biden e ka ndërmarrë tashmë dy herë këtë veprim pa shkaktuar ndonjë ndryshim domethënës në tregjet e naftës.

Ligjvënësit republikanë nga ana tjetër thonë se problemi qëndron tek administrata Biden që është armiqësore ndaj kompanive që kanë leje për shfrytëzim të burimeve të naftës apo dhe ndaj ndërtimit të gazjellësave të rinj, sikurse ai Keystone XL. Senatori republikan Steve Daines kritikoi më herët këtë masë dhe tha se shfrytëzimi i rezervën strategjike, pa ndërmarrë më parë hapa për të rritur prodhimin në vend është një lëvizje e dëshpëruar që shmang zgjidhjen e vërtetë: “investimin në kapacitetet prodhuese amerikane të energjisë”, veçanërisht ato të naftës dhe gazin.

Futja në treg e një milion fuçive naftë në ditë është një mënyrë për të rritur furnizimet, do të shërbejë si një urë derisa kompanitë e naftës të rrisin prodhimin.

Masa e shpallur sot nga Presidenti Biden është më e madhje e kësaj natyre në historinë afro 50-vjeçare të vendit.

Çmimet e naftës ranë me 3% pas njoftimit të këtij lajmi, në rreth 104 dollarë për fuçi. Një vit më parë, çmimi i një fuçie ishte 60 dollarë.

Rezerva strategjike e naftës u krijua pas krizës së naftës të vitit 1973 e për t’u përdorur në rast fatkeqësish natyrore apo problemesh që lidhen me sigurinë kombëtare.

Rezervat prej rreth 600 milionë fuçish ruhen përgjatë brigjeve të Teksasit dhe Luizianës.

Gjatë njoftimit të këtij vendimi, Presidenti Biden foli dhe mbi zhvillimet e fundit në Ukrainë.

Presidenti Biden tha të enjten se Presidenti rus Vladimir Putin duket se po vetëizolohet dhe se mund të ketë shkarkuar nga detyra ose vendosur nën arrest shtëpie disa nga këshilltarët e tij./voa