Mediat shkruajnë se është bërë e mundur kapja e liderit të Kartelës Sinaloa, i cili kërkohej në 200 vende të botës.
Mësohet se arrestimi i tij u bë pasi e dashura modele bëri publike një foto të tijën në rrjetin social “Facebook”.
Brian Donaciano Olguin Berdugo, i njohur si “Pitt”, u arrestua në një kompleks apartamentesh në qytetin e Cali në departamentin kolumbian të Valle del Cauca, në jug-perëndim të kryeqytetit të Bogota.
Shtetasi meksikan Berdugo, 39 vjeç, thuhet se ka mbërritur në vend në shkurt për të ndërmjetësuar marrëveshjet e kokainës me Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë-Ushtrinë Popullore në emër të kartelit të fuqishëm Sinaloa.
Por pasi mbaroi marrëveshjet e tij, ai udhëtoi për në Cali dhe shpesh takohej me një modele, emri i së cilës nuk bëhet i ditur.
Mediat lokale shkruajnë se trafikanti i braktisi të gjitha protokollet e sigurisë ndërsa ishte me modelen.
Ajo madje e bindi atë të vizitonte pikën turistike të frekuentuar Cerro de los Cristales, ku u fotografua në shoqërinë e saj.
Fati i tij u vulos kur modelja ngarkoi një fotografi në llogarinë e saj në “Facebook” dhe agjentët e Administratës Amerikane të Zbatimit të Drogës informuan Policinë Kundër Narkotikëve Kolumbian për vendndodhjen e të dyshuarit.
39-vjeçari u mbajt nën vëzhgim nga shërbimi informativ kolumbian për dy javë e më pas u arrestua.
Ai po mbahet në burg deri në plotësimin e dokumentacionit për ekstradimin në Shtetet e Bashkuara. Avokatët e tij po e kundërshtojnë këtë përpjekje, ndërsa policia pretendon se kishte marrë edhe një ofertë prej 265 mijë dollarësh për lirimin e tij.