Jotova hapi leximoren në Ohër dhe i përsëriti kushtet e Sofjes

Nënpresidentja e Bullgarisë, Ilijana Jotova, për të dytën ditë qëndron në Maqedoninë e Veriut – sot në Ohër e promovon leximoren bullgare, pasi dje së bashku me Kryeministrin Kiril Petkov bënë hapjen e klubit pranë Qendrës Bullgare për Kulturë në Manastir. Derisa Sofja zyrtare pohon se angazhohet për të drejtat e njerëzve që deklarohen si bullgarë në Maqedoninë e Veriut, nga më shumë drejtime në vend, vlerësohet si provokim fakti që mysafirët nga fqinji lindor kanë vendosur ta nderojnë pikërisht emrin e Vanço Mihajlovit, i cili në perceptimin e maqedonasve është i lidhur me fashizmin dhe politikat antimaqedonase në të kaluarën.

Marketing

Era dhe retë e kanë pritur Ilijana Jotovën në Ohër, qytetin që Bullgarët e quajnë “Jerusalemi bullgar”. E hapi Qendrën Kulturore për bullgarët në qytet dhe u përkul para përmendores së 15 turistëve bullgarë të cilët e humbën jetën para 13 viteve, në aksidentin e anijes “Ilinden” – sado të duket ironike nga këndvështirimi i kërkimit të sotëm të historisë së përbashkët të të dyja vendeve. Për të ardhmen e përbashkët dhe evropiane, Bullgaria, siç theksoi Janeva, edhe më tej vendos kushte.

“Ne i kemi vendosur kushtet për pika të caktuara në librat në shkolla të mesme si dhe në hartimin e metodologjisë. Komisioni historik në mes të dyja vendeve duhet të arrijë marrëveshje për këtë dhe pastaj kjo të zbatohet në libra. E dyta, ne dëshirojmë të bëhet hapja e arkivave dhe të ndërpritet ndjekja e personave vetëm sepse janë bullgarë. E treta është dëmtimi i përmendoreve në RMV. Nuk mund ta kuptoj si në shekullin 21, pavarësisht procesit drejt BE-së, si mund prishen pllakat përkujtimore?”, deklaroi Ilijana Jotova, nënpresidente e Bullgarisë.

Në mungesë dje kur pothuajse gjysma e kreut bullgar të shtetit ishte në Manastir, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski sot reagoi në të njëjtën linjë me qytetarët dhe shoqatat që kërkojnë reciprocitet në respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave në Bullgari dhe e konsiderojnë si provokim emrin e klubit “Vanço Mihajlov”.

“Bëhet fjalë për figurë historike kontroverse, e cila në vend përjetohet në mënyra të ndryshme. Megjithatë, duke qenë se bëhet fjalë për iniciativë qytetare, në pajtueshmëri me Konventën Evropiane për të drejta të njeriut, me të cilët ne jemi në harmoni të plotë, projektet e këtilla nuk janë objekt i mbikëqyrjes nga ana e shtetit. Në Maqedoninë e Veriut të gjithë qytetarët kanë mundësi që lirisht t’i praktikojnë bindjet e tyre etnike, fetare dhe ideologjike. Njëkohësisht edhe Qeveria, edhe opinioni me padurim e presin ditën kur te fqinjët tanë do të vijë momenti edhe atje ata qytetarë që vetëdeklarohen si maqedonas do të munden lirshëm t’i praktikojnë bindjet e tyre.”, deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Sipas Jotovës dhe numrit më të madh të pjesëtarëve të delegacionit nga Sofja, në vendin e tyre njerëz të këtillë nuk ka, ndërsa vendimet në Gjykatën në Strazburg në dobi të anëtarëve të shoqatës “OMO ILINDEN Pirin”, të cilët deklarohen si maqedonas, vazhdojnë të injorohen.