Nga Tirana, komisioneri për zgjerim i Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi, tha se nuk ka opsion tjetër përveçse hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, gjatë presidencës franceze. Kur kanë mbetur vetëm 2 muaj deri në përfundimin e saj, Varhelyi kërkoi edhe pak durim nga kryeministri Edi Rama. Nëse negociatat sërish nuk hapen, ai tha se Europa tallet me veten.
“Po punoj nga afër me miqtë bullgarë e maqedonas, vlerësoj durimin tuaj, por kini edhe pak durim. Objektiv presidenca franceze. Çështja e vërtetë ka të bëjë me anëtarësimin e Shqipërisë në BE. duhet të punojmë për integrimin e vërtetë në terren. Ka të bëjë me mënyrën si do ta ndryshojmë realitetin në terren. Problemi i vërtetë që duhet të shikojmë është anëtarësimi, për këtë po punojmë. Duhet marrëveshje për 2 shtetet. Nuk ka plan B, të dy vendet bashkë.”,- tha komisioneri për zgjerim i Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi.
I pyetur lidhje me pozicionimin e tij ndaj Maqedonisë së Veriut, Rama tha dy vendet do të ecin bashkë drejt rrugës së integrimit.
Një tjetër çështje e rëndësishme që prekën 2 zyrtarët, ishte edhe korridori i tetë që pritet të sjellë më afër kryeqytetet e rajonit tonë.
“Ne menduam qe 290 km në 5 orë është shumë. Koha duhet të jetë më e shkurtër. Dëshirojmë ta përfshijmë korridorin 8 në projektet tona. Pa këtë s’ka lidhje të Ballkanit perëndimor. Rrugë të reja për tregtinë, investimet.”,- theksoi Varhelyi.
Komisioneri për zgjerim, foli edhe për intensifikimin e dialogut Prishtinë-Beograd dhe për mbështetjen ekonomike-sociale për rajonin. Nga ana tjetër, kryeministri Rama u shpreh më i vendosur se kurrë për të vijuar me nismën Ballkani i Hapur, duke përsëritur ftesën për Malin e Zi dhe vendet e tjera që nuk janë bërë ende pjesë.