Carlo Ancelotti tashmë ka hyrë në histori të futbollit Evropian, pasi udhëhoqi Real Madridin drejt titullit të 35 të La Ligas.
Ancelotti është bërë trajneri i parë që ka fituar trofe në Spanjë, Angli, Itali, Francë dhe Gjermani.
Për shumë adhurues të futbollit Ancelotti mund të mos jetë një nga trajnerët më të mirë në botë, por ai vazhdon tua dëshmojë të gjithve te kundërtën.
Derisa disa nga kolegët e tij kanë arritur të fitojnë një apo dy tituj në liga të ndryshme, Ancelotti e ka bërë në pesë ligat kryesore të Evropës.
Jose Mourinho ka fituar trofe në Angli, Spanjë dhe Itali, Pep Guardiola në Spanjë, Angli dhe Gjermani, Antonio Conte në Itali dhe Angli, ndërsa Arsene Wenger në Francë dhe Angli.
Trajner këta që shumëkush i cilëson si më të mirë se italiani.
I njohur si një trajner i qetë dhe i aftë për të kontrolluar një ekip me përplot yje, e puna e tij nuk mbeti pa u shpërblyer.
Ancelotti e filloi këtë numër të jashtëzakonshëm të titujve të ligave evropiane me triumfin e Milanit në Seria A në 2003-04.
Pas gjigantit italian, ishte Chelsea që arriti të fitojë trofeun e Premier Ligës, nën drejtimin e tij në vitin 2009-10.
Më pas sukses tekniku korri edhe me ekipin francez, Paris Saint Germain ku u shpallën kampion në vitin 2012-13.
Periudhë të mirë trajneri italian kaloi edhe në Bundesligë, ku e udhëhoqi Bayern Munich drejt titullit në vitin 2016-17.
Suksesi nuk i mungoi as në periudhën e tij të parë të Real Madridi.
Gjatë sezoneve 2013-15, ai e udhëhoqi ekipin madrilen drejt trofeut të 10 në Ligën e Kampionëve, trofe ky që i kishte munguar gjigantit spanjoll për plotë 12 vite.
Me Realin atë kohë Ancelotti kishte fituar edhe Kupën e Botës për Klube, Superkupën e Spanjës, Superkupën e Evropës dhe Kupën e Mbretit, ishte La Liga i vetmi trofe që i kishte munguar.
Pas rikthimit te Real Madridi 62 vjeçari tashmë ishte i vendosur të ngrejë titullin e La Ligas dhe të krijojë histori.
‘Mbretërit’ e filluan mjaft mirë periudhën e dytë nën drejtimin e italianit.
Me 81 pikë nga 34 ndeshje, Real Madrid tashmë është shpallur kampion, edhe pse kanë mbetur katër ndeshje deri në përfundimin e sezonit në La Liga.
Kështu me triumfin në ligën spanjolle me Realin, Carlo bëhet trajneri i parë që arrin të fitojë trofe në pesë ligat më të mëdha evropiane.
Trajneri italian në karrierën e tij ka udhëhequr gjithsej 10 ekipe dhe ka arritur të fitojë gjithsej tre Liga të Kampionëve, dy Kupa të Botës për Klube, nga një Kupë FA, Kupë të Italisë, Kupë të Mbretit, Superkupë të Spanjës, tri Superkupa të Evropës dhe dy Superkupa të Gjermanisë.