BFI me mesazh urimi për festën e Fitër Bajramit

Bashkësia Fetare në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka uruar gjithë besimtarët musliman për festën e Fitër Bajramit.

Marketing

Në vazhim ua sjellim të plotë komunikatën e BFI-së:

Të nderuar besimtarë e besimtare, vëllezër e motra.

Jemi në kulmin e përjetimit të gëzimit të thellë të festës së Madhe të Fitër Bajramit. Po e përcjellim musafirin tonë të dashur dhe të begatë të bindur se me përkushtimin më të madh е kryem kushtin themelor të Islamit, agjërimin e ditëve të tij që e përshkon gëzimi i madh, me çka dëshmuam vetëdijen e lartë dhe përkushtimin tonë të madh se lidhja jonë me Zotin është bindje e thellë në zemrat, të menduarit dhe në jetën tonë praktike, konform fjalëve të Allahut të Gjithmëshirshëm kur thotë: ”Që të jeni të devotshëm”.

Sot, si asnjëhërë më parë, jemi bindur se muaji i Ramazanit mbolli tek ne bindjen e paluhatshme se dija, meditimi mbi gjithçka që krijoi Zoti janë argumente mbi ekzistencën dhe rrugëtimin e drejtë të njohjes së Tij, sepse në këtë muaj, në Natën e Kadrit zbriti imperativi i Zotit: “Lexo në emër të Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë)”.

Etja dhe uria gjatë agjërimit forcuan tek ne kujdesin ndaj njeriut, andaj ne sot në këtë ditë të madhe jemi më solidarë dhe më human se asnjëherë më parë dhe ky parim definoi teoretikisht dhe praktikisht ndjenja të paqes, tolerancës, humanizmit dhe solidaritetit.

Të jesh pjesëtar i denjë i Islamit dhe të kryesh me përkushtimin më të madh Muajin e Ramazanit, do të thotë të jesh i pastër në synime dhe qëllime, në shpirt e në zemër, në jetë me njerëzit dhe botën që të rrethon, i qëndrueshëm në provokimet dhe sfidat e jetës për t’i tejkaluar ato, i afërt me njerëzit, i drejtë në jetën e përditshme, falës i lëshimeve, si dhe ndihmës i vërtetë i njerëzve.

Andaj, Festa e Fitër Bajramit është ngadhënjim i së mirës ndaj së keqes, i shpirtërores ndaj epshores dhe emocionales, i moralit ndaj amorales, i të sinqertës ndaj mashtrimit, i ngritjes ndaj rënies, i aksionit ndaj neglizhencës, i optimizmit ndaj dëshpërimit, i kalitjes ndaj zbehjes, i dinjitetit ndaj luhatshmërisë, i durimit ndaj mosdurimit, i hyjnores ndaj satanikes. E gjithë kjo të bën person të aksionit në kultivimin e të mirës dhe në evitimin e të keqes.

Kjo është rruga e vërtetë dhe kjo është ngritja e vetëdijes së besimtarit që në momentin e duhur të jetë i gatshëm t’u japë përgjigje sfidave dhe situatave që i sjell koha në të cilën ai jeton. Sfida më e madhe sot është lufta, ajo që po lëviz në tërë botën – sot në këtë vend, e nesër në një vend tjetër. Ramazani me vlerat e tij, si dhe kjo ditë e Madhe, na mësojnë se lufta është e huaj në Islam, ndërsa paqja është ajo më e shtrenjta e njeriut dhe synimi kryesor i tij, dhe se i gjithë potenciali i besimtarit duhet vënë në kultivimin e paqes dhe të mirëqenies mes njerëzve kudo që jetojnë dhe veprojnë ata, sepse sipas Islamit të shpëtosh një jetë njerëzore, është sikur të shpëtosh tërë njerëzimin dhe: të mbysësh një jetë njerëzore, është sikur të mbysësh tërë njerëzimin.

Besimtarë të nderuar, vëllezër e motra.

Sot, në këtë ditë të gëzimit të Fitër Bajramit, me zemra të pastra i drejtohemi Allahut të Gjithëmëshirshëm që të na japë fuqinë imanit, guximin e faljes dhe të pajtimit, buzqeshjen me të tjerët, për të hapur rrugët e shpresës për të ardhmen, duke qenë të vendosur në rrugëtimin tonë për të kultivuar një të tashme dhe të ardhme edhe më të ndritur; t’u japë gëzim dhe shpresën në zemrat e tyre skamnorëve, njerëzve me telashe fizike-shpirtërore, familjeve që humbën më të dashurit e tyre nga sëmundja e rëndë Covid-19, me qëllim që sot dhe gjithmonë në jetë të jemi të lumtur dhe të gëzuar, e mbi të gjitha – falënderues ndaj të Madhit Zot.

Vëllezër e motra,

Në fund, më lejoni që në emër të Bashkësisë Fetare Islame, të organeve, të enteve dhe të institucioneve fetare-arsimore të saj dhe në emrin tim t’ju shprehim urimet më të përzemërta, duke iu lutur Allahut fuqiplotë që t’i pranojë me mëshirën e Tij të gjitha ibadetet tona, agjërimin tonë, të gjitha veprat tona të bëra gjatë muajit Ramazan.

E gëzofshi Fitër Bajramin.