Liberalizimi i vizave/ Kurti në Berlin: Mjaft është mjaft, Kosova i ka kryer detyrat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në një konferencë për medie pas takimit me kancelarin gjerman në Bundestag.

Marketing

Kurti ka thënë se Gjermania është vend aleat për Kosovën, ndërsa dha detaje nga takimi me kancelarin gjerman.

“Temë e parë ishte ajo e luftës në Europë e invazionit rus ndaj Ukrainës. Mbi bazën e kapaciteteve tona jemi solidarizuar me shtetin e Ukrainës. Kemi ofruar strehim dhe kushte për punë për 20 gazetarë të Ukrainës. Kemi ofruar mundësinë të strehojmë deri 5 mijë refugjatë”, tha ndër të tjera Kurti.

Poashtu ai u shpreh se e ka njoftuar kancelarin për zhvillimin e ekonomisë.

“Kancelarin e njoftova për zhvillimin e ekonomisë. Në Kosovë demokracia funksionon, opozita i fiton zgjedhjet, mediet janë të lira. Në këtë vit qeverisje kemi bërë përpjekje të mëdha për të fuqizuar sundimin e ligjit. Kemi fillua reforma në administratë dhe së fundi kemi hapur edhe Gjykatën Komerciale”, ka shtuar ndër të tjera Kurti.

Kurti theksoi i ka kërkuar kancelarit të ecë përpara me procesin per liberalizimin e vizave.

“Tash është koha të thuhet se mjaft është mjaft, Kosova i ka kryer detyrat e shtëpisë, BE ta bëj të njëjtin. Do të aplikojmë për anëtarësim në KE”, ka shtuar Kurti.