Kosova dhe Serbia – pa marrëveshje për targat e makinave, përparim në fusha tjera

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë dështuan sërish të premten të arrijnë një marrëveshje për përdorimin e targave të makinave, gjatë bisedimeve të mbajtura në Bruksel. I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha se rezultatet janë të përziera. “Fatkeqësisht, nuk u arrit asnjë marrëveshje për targat, por kemi bërë përparim në fusha tjera duke përfshirë energjinë. Puna do të vazhdojë”, shkroi ai në rrjetin Twitter pas takimit të sotëm.

Marketing

 

Që nga fillimi i tetorit të vitit të kaluar palët zbatojnë një marrëveshje të përkohshme sipas së cilës targave të makinave u vendosën fletë ngjitëse aty ku shihen simbolet shtetërore të të dyja palëve. Marrëveshja e përkohshme u arrit më 30 shtator pas disa ditësh trazirash në veriun e Kosovës ku grupe serbësh bllokuan rrugët për të kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit për përdorimin e targave.

 

Nga përparimet në bisedimet e sotme të delegacioneve që u udhëhoqën nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i zyrës serbe për Kosovën, Petar Petkoviç, varej nëse do të ketë një takim të nivelit më të lartë politik ndërmjet palëve.

 

Më 4 maj në Berlin kancelari gjerman, Olaf Scholz, shfryëtzoi takimet e ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të organzuar një darkë joformale me ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak. Takimi që ishte i pari që nga korriku i vitit të kaluar, nuk solli asnjë përparim.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha pas takimit se qëndrimet e presidentit serb mbeten të vjetra dhe nuk mundësojnë përparim drejt një marrëveshjeje. Ai ritheksoi qëndirmin për një marrëveshje me Serbinë e cila është ligjërisht e detyrueshme që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, duke pasur në qendër njohjen e ndërsjellë.

 

Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se diskutimet ishin shumë të vështira dhe se sipas tij problemi për Beogradin është se disa refuzojnë të flasin fare për Asociacionin e komunave serbe.

 

Diplomatët perëndimor ka kohë që janë vënë në përpjekje për të siguruar një takim të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për ripërtëritjen e procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet palëve.Përpjekje janë shtuar posaçërisht pas agresionit rus ndaj Ukrainës dhe diplomatët besojnë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ishte rruga më e mirë për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Rusisë për destabilizimin e Ballkanit./VOA