ITSHKSH dhuron libra për bibliotekën “Ernest Koliqi” në Prishtinë

Në prag të hapjes së bibliotekës “Ernest Koliqi”, e
cila do të funksionojë në kuadër të Ipeshkvisë së Kosovës, drejtori i
ITSHKSH Prof.dr. Skender Asani me bashkëpunëtorët dhuroi disa tituj
librash. Me këtë rast Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergj, shprehu
mirënjohje dhe faleminderoi ITSHKSH për kujdesin e treguar ndaj
thellimit të bashkëpunimit kulturor ndërinstitucional në mes të
Shkupit dhe Prishtinës. Ky bashkëpunim, sipas tij, po ndodhë në
momentin e duhur kur po hapet një bibliotekë e cila do të ketë vepra
të rëndësishme edhe nga ITSHKSH.
Drejtori i ITSHKSH, Prof.Skender Asani, dhuratën simbolike të librave
e shoqëroi me konstatimin se Ipeshkvia e Kosovës ka bërë veprimin e
duhur me hapjen e një biblioteke që do të mbaj emrin e një prej
kolosëve më të mëdhenjë të kulturës shqiptare, siç është Ernest
Koliqi. Sipas Asanit, Koliqi, mbolli farën e iluminzmit në trevat
lindore shqiptare, duke dërguar mësues e libra që ishin “infuzion”
shpirtëror i kësaj hapësire etnike shqiptare.
Pasi foli për disa aktivitete që ishin bërë në bashkëpunim me
institucionet përcjellëse të Ipeshkvisë së Kosovës, siç është redaksia
e revistës “Drita”, Dr. Asani e informoi Imzot Dodën për planet dhe
strategjinë e ITSHKSH në të ardhmen, ku theks të posaçëm i kushtoi
shënimit të 25 vjetorit të vdekjes së shenjtores Nëna Tereze. Me këtë
rast, tha ai, do të organizohet manifestimi tradicional “Drita e
Gonxhes” (26 gusht – 5 shtator), ku janë paraparë disa aktivitete të
përbashkëta kulturore-letrare që do të mbahen në Shkup e në Prshtinë
në mes të ITSHKSH, gjegjësisht Departamentit i trashëgimisë së Gonxhe
Bojaxhiut – Nënë Tereze dhe revistës “Drita”. Një rekapitulim i
aktiviteteve të vitit të kaluar, në formë shkrimesh e studimesh do të
vjen në numrin e parë të revistës “Drita e Gonxhes”, e cila është
pjesë integrale e manifestimit me të njejtin emër, ndërkohë që në
numrin pasues do të vijnë aktivitetet e këtij viti, tha Dr. Asani.
ITSHKSH dhe Ipeshkvia e Kosovës do të vazhdojnë të këmbejnë dije e
përvoja në të ardhmen me qëllim të avancimit të bashkëpunimit e
mirëkuptimit ndërinstitucional, ku theks i posaçëm do t’i vëhet
emancipimit të mëtejm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare dhe
komunikimit të saj me shoqëritë e tjera.

Marketing