Ish-kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka reaguar pasi që Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, u dënuan gjatë ditës së sotme nga Gjykata Speciale me katër vjet e gjysmë burg.
Jashari, përmes një postimi në Facebook, e ka cilësuar vendimin e Speciales ndaj Gucatit dhe Haradinajt, si edhe një tjetër padrejtësi mbi çlirimtarët, shkruan lajmi.net.
“Edhe një padrejtësi mbi çlirimtarët tonë. Me shqetësim mora lajmin që dy luftëtarët e Lirisë, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe nënkryetari, Nasim Haradinaj, janë dënuar nga Gjykata Speciale në Hagë”, ka thënë Jashari.
Tutje, ai ka shtuar se ka qenë i bindur se Gucati dhe Haradinaj do të shpalleshin të pafajshëm, andaj ai thotë se shpreson që në Apel do të përmirësohet, siç ka thënë ai, ky gabim i bërë ndaj luftëtarëve të lirisë.
“Duke qenë krenar me luftën dhe kontributin e tyre, duke besuar në drejtësi, isha i bindur që ata do të shpallën të pafajshëm dhe se Gjykata do të gjykojë drejtë dhe do të hulumtoj në tërësi dhe në menyrë objektive rastin për të cilin janë akuzuar Gucati e Haradinaj. Uroj që në Apel të përmirësohet ky gabim i bërë ndaj luftëtarëve të Lirisë. Miq të mi, Hysni dhe Nasim vazhdoni të mbeteni të fortë, kjo padrejtësi do përfundojë dhe ne do shihemi shpejtë në Kosovën tonë të dashur”, ka përfunduar Jashari.