Shaqiri: Tre qendrat rajonale të arsimit dhe aftësimit profesional shndërrohen në qendra ekskluzive për arsimimin e kuadrove

Tre qendrat rajonale të arsimit dhe aftësimit profesional janë shndërruar në institucione arsimore lider për formimin profesional të nxënësve dhe qytetarëve dhe mbeten një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së arsimit dhe shkencës. Aktualisht po bëhet rekonstruimi i dy qendrave rajonale, në Kumanovë dhe Ohër, ndërsa do të pasojë edhe tenderi për rekonstruimin e Qendrës Rajonale në Tetovë. Synimi ynë është që në kuadër të reformave të arsimit të mesëm profesional t’i zhvillojmë ato në qendra ekskluzive, inovative dhe relevante, ku do të arsimohen kuadro që do të përmbushin kërkesat e tregut të punës.

Marketing

Kështu e theksoi ministri i arsimit dhe shkencës Jeton Shaqiri në mbledhjen e sotme të Grupit sektorial të punës për arsim, punësim dhe politikë sociale. Ai sqaroi se do të vijojë pajisja e qendrave si një nga kushtet për funksionalitetin e tyre dhe arsim cilësor, për çka Ministria e arsimit dhe shkencës do ta informojë Qeverinë, në mënyrë që mjetet të përfshihen në planifikimin buxhetor për vitin 2023.

“Sa i përket kuadrit mësimor në qendrat rajonale për arsim dhe aftësim profesional, me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane, projektit E4E @ mk dhe UNDP-së, bëhen trajnime për përmirësimin e mëtutjeshëm të aftësive të tyre, sepse mësuesit janë hallka më e rëndësishme në procesin arsimor”, theksoi ministri.

Grupi sektorial i punës për arsim, punësim dhe mbrojtje sociale është një mekanizëm për konsultim dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve ekzekutive, organizatave të shoqërisë civile, donatorëve dhe aktorëve të tjerë, përmes të cilit krijohen dhe zbatohen politikat e konkurrencës dhe rritjes gjithëpërfshirëse në të tre sektorët, të cilat financohen me programet IPA.