Finalja e UEFA-s, mbërrijnë në portin e Durrësit tifozët e Romës

Rreth 100 tifozë, mes të cilëve 35 ultras të Romës kanë mbërritur mëngjesin e sotëm me tragetet e linjës së Barit në Durrës.

Marketing

Gjatë këtyre dy ditëve është konfirmuar mbërritja në Durrës e 500 tifozëve të organizuar, ndërsa të tjerë pritet të mbërrijnë në grupe të vogla. Edhe pse fluksi në mbërritje i udhëtarëve është i përballueshëm, masa të shtuara sigurie janë marrë nga Policia e Shtetit dhe autoritetet që veprojnë në territorin portual. Mbërritja e grupit të parë të ultrasve të Romës është ndjekur nga afër nga drejtori i policisë së qarkut Durrës Neritan Nallbati dhe përfaqësues të policisë holandeze dhe italiane që kanë mbërritur në vendin tonë për të siguruar mbarëvajtjen e këtij eventi të rëndësishëm sportiv europian.

Kreu i policisë së qarkut Durrës Nallbati shprehet se dhe në Durrës ka një plan masash që po ndiqet së bashku me kolegët italianë dhe holandezë, ndërkohë që përveç grupit të ultrasve që ka mbërritur përmes portit detar, një grup tjetër pritet të mbërrijë në Rinas sot dhe të gjithë ultrasit do të akomodohen sot në Durrës.

Mëngjesin e sotëm me dy tragetet e linjës Bari-Durrës mbërritën në total 527 udhëtarë, 100 prej të cilëve për finalen e madhe të 25 majit Roma-Feyenoord.