306 fluturime me mbi 20 mijë pasagjerë janë procesuar në 48 orë në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas.
Ndërsa ndau në rrjetet sociale një video nga atmosfera në aeroportin e Rinasit, Kryeministri Edi Rama tha se mbresat e shprehura nga UEFA janë të shkëlqyera, pas shqetësimit se mund të kishte probleme nga mbingarkesa e jashtëzakonshme.
“Fluturime rekord në aeroportin “Nënë Tereza”, ku janë procesuar mbi 20 mijë vizitorë në më pak se 48 orë dhe ku mbresat e shprehura nga UEFA janë të shkëlqyera, pas shqetësimit se mund të kishte probleme nga mbingarkesa e jashtëzakonshme”, u shpreh Rama.
Shqipëria pret për herë të parë në historinë e vet një finale të kompeticioneve europiane, siç është kjo UEFA Conference League, ku “Roma” dhe “Feyenoord” do të përballen sonte në stadiumin “Air Albania”. /ATSH/