Duhet të ndërmerren masa – të targetuara, të destinuara, në mënyrë që kategoritë më të ndjeshme ta tejkalojnë krizën. Ato të jenë të përkohshme që të mos shkelen përgjithmonë parimet e tregut. Gjithçka tjetër, vetëm se mund ta përkeqësojë situatën, sepse me injektimin e likuiditetit shtesë në rast të ofertës së pamjaftueshme, që ndër të tjera kushtëzohet edhe nga inputet e importit, do të bëjë vetëm presion shtesë në rritjen e çmimeve. Ky është pikërisht modeli që do të zbatojmë në të ardhmen dhe rekomandohet nga Komisioni Evropian dhe institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN-ja, shkruan në kolumnën e tij, dedikuar SEFF 2022 dhe rritjes së qëndrueshme në kohë krize, ministri i Financave, Fatmir Besimi.
– Profesori Krugman shpjegoi shumë bukur këtë në fjalimin e tij. Situata aktuale nuk është e njëjtë si në vitin 1979 (për informacion – në fillim të viteve të 80-ta, pritshmëritë për inflacion të lartë ishin shumë më afatgjatа, ndërsa punëtorët si rezultat i kësaj kërkuan paga më të larta, ndërsa punëdhënësit ishin të gatshëm të paguanin paga më të larta për shkak të pritshmërisë së inflacionit, gjë që rezultoi me spirale inflacioniste, gjë që u stabilizua pas shumë vitesh me tkurrjen e fuqishëm të ekonomisë). Pritshmëritë për inflacionin tani janë më afatshkurtra – me ç’rast stabilizimi pritet vitin e ardhshëm. Profesori Krugman madje theksoi se në vitin 2024 do të kemi sërish gjendjen e vitit 2019 dhe se tendencat deflacioniste do të jenë sërish aktuale. Pyetja është se si të arrijmë atje. Një opsion është ngadalësimi i lehtë i ekonomisë, tjetri është rënia e fuqishme. Dhe gjithçka varet nga mënyra se si do të ballafaqohemi me inflacionin në të ardhmen. A do të hyjmë në vorbullën e inflacionit apo do ta shmangim atë me inteligjencë. Sfida jonë është që ta ruajmë nivelin e rritjes në këtë kohë pasigurie – shkruan ministri Besimi.
Ministri Besimi më tej shpjegon se pakoja e parë e masave destinohej në amortizimin e goditjeve të para të fuqishme ndaj krizës, si parandalimi i goditjes së çmimeve dhe rritjes spekulative të çmimeve, duke ndaluar kështu presionet inflacioniste për të parandaluar norma më të larta inflacioni.
-Lirimet tatimore u realizuan në kombinim me masat për ngrirjen (fiksimin) e çmimeve dhe marzheve të produkteve. Vlera e masave të zbatuara deri më tani për ta luftuar krizën e çmimeve dhe atë energjetike është rreth 615 milionë euro, që paraqet një prej stimujve më të lartë fiskalë të akorduar në rajon. Në drejtim të destinimit të njëkohshëm të masave drejt kategorive më të ndjeshme të qytetarëve, por edhe konsolidimit gradual fiskal, do të targetohen masa të reja antikrizë.
Përkujdesi për qytetarët dhe ekonominë do të vazhdojë më tej, gjithashtu edhe angazhimi për të udhëhequr politikë prudente fiskale, që është në drejtim të uljes së deficitit të buxhetit në periudhë afatmesme. Me anë të rishikimit parashihen rreth 76 milionë euro për masat antikrizë, si dhe subvencione për rritjen e pagës minimale, mjete të konsiderueshme shtesë për subvencione për bujqit – me qëllim të rritjes së rendimenteve, si dhe mjete për rritjen e pensioneve dhe rritjen e transfertave për të ardhurat e garantuara minimale, si dhe rritje të pagave në një pjesë të konsiderueshme të sektorit publik, arsimit, shëndetësisë, gjyqësorit, prokurorisë, policisë dhe ushtrisë – thekson Besimi.
Në vijim, ministri i Financave shkruan se na paraprin një periudhë e rëndësishme, ku krijimi i opinionit publik do të jetë po aq i rëndësishëm, në mos më i rëndësishëm se masat konkrete ekonomike që do t’i ndërmarrim. Kjo për shkak se inflacioni varet nga tre faktorë – oferta, kërkesa dhe pritshmëritë inflacioniste, ku elementi i tretë ka impakt të fuqishëm ndaj dy të parave.
Besimi thekson se politika fiskale duhet dhe do të orientohet në rritjen e qëndrueshme dhe konsolidimin fiskal si dhe zbatimin e ndryshimeve strukturore, sepse vetëm ekonomia stabile mund të gjenerojë rritje të qëndrueshme dhe prandaj ndryshimet strukturore janë të domosdoshme për të arritur norma më të larta të rritjes.
Në fund të kolumnës ministri i Financave thekson se Platforma SEFF vazhdon në drejtim të inkorporimit të përmbajtjeve të reja, diskutimeve dhe përgjigjeve lidhur me çështje të reja, si dhe se fokusi do të orientohet drejt rinisë, nismave rinore, rrjetëzimit, krijimit të partneriteteve, sepse rinia është e ardhmja.