Provinca Şanlıurfa që ndodhet në pjesën juglindore të Türkiye-s (Turqisë) është përzgjedhur nga Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) si Qyteti i Turizmit për vitin 2023, transmeton Anadolu Agency (AA).
Vendimi u ndërmor gjatë sesionit të 11-të të Konferencës Islamike të Ministrave të Turizmit, e cila po mbahet në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, ndërsa vendimin e njoftoi përmes një deklarate Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Türkiye-s.
Në deklaratë thuhet se provinca Khiva e Uzbekistanit është shpallur Qyteti i Turizmit nga OBI për vitin 2024.
Evenimenti tre-ditor, nën temën “Roli i komuniteteve lokale në zhvillimin e turizmit”, filloi dje.
OBI është organi i dytë ndërqeveritar më i madh pas OKB-së, me 57 shtetet e saj anëtare të shpërndara në katër kontinente.
Ajo u themelua në vitin 1969 në një samit historik në Rabat, kryeqyteti i Marokut, në kundërpërgjigje të një sulmi me zjarr në xhaminë Al-Aksa në Kudsin e pushtuar.