Për herë të pestë banorët e fshatit Tërnovc i Madh të Bujanocit sot do t’i drejtohen kutive të votimit. Votat e tyre do të jenë përcaktuese nëse Shaip Kamberi do të jetë sërish deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin serb apo nëse mandati do t’i takojë Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) të Ivica Daçiq.
Të drejtë vote në shkollën fillore “Muharrem Kadriu” në këtë fshat kanë 1,089 votues. Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës i nevojiten 610 vota për të hyrë në Kuvendin e Serbisë, ndërsa SPS të mos marrë asnjë pasi kjo do të rriste pragun zgjedhor.
Kandidati për një tjetër mandat, Shaip Kamberi, thotë se është i lodhur nga përsëritja e vazhdueshme, por shprehet se alternativë është vetëm dorëzimi ndaj së keqes.
“Jemi në luftë, jo thjesht për të zgjedhur një deputet, por për drejtësi, barazi e liri. Nuk po kërkojmë asgjë më tepër veç trajtimit të barabartë si qytetarë, trajtim të dinjitetshëm dhe të drejta jetike. Jam plotësisht i vetëdijshëm se kjo betejë për përfaqësim ka shkaktuar lodhje e frustrime të shumta të secili prej nesh, u bë e mërzitshme dhe e bezdisshme edhe për mua, por, alternativa e kësaj është dorëzimi. Dorëzimi ndaj atyre që nuk na duan të mirën. Kjo nuk është luftë për ta rehatuar një person, ashtu siç po tentojnë ta paraqesin disa. Përfaqësimi nuk ka të bëjë me këtë, sepse fati i një personi është absolutisht i parëndësishëm në raport me fatin tonë kolektiv”, tha një ditë më parë.
Kamberi tha se beteja e sotmeka të bëjë me rezistencën politike të shqiptarëve në Serbi, artikulimin e kërkesave të shqiptarëve në mënyrë të qartë e të drejtë dhe vazhdimin e luftës për jetë dinjitoze.
“Nënshtrimi dhe dorëzimi nuk është diçka që zgjedhin popujt e shtypur, nuk duhet ta zgjedhim as ne. Rezistencën ja kemi borxh dëshmorëve e gjeneratave e gjeneratave të njerëzve që janë flijuar për liri e drejtësi. Ja kemi borxh edhe atyre 9500 votave që i ka lista jonë në këto momente, të cilat do të shpërdohen pa 610 votat e lagjes së Strukarëve”, shtoi Kamberi.
Si në të gjithë territorin administrativ serb, edhe në Tërnovc zgjedhjet u mbajtën më 3 prill. Më 21 të po atij muaji Gjykata Administrative në Nish urdhëroi përsëritjen e zgjedhjeve në këtë fshat për shkak të parregullsive.
Zgjedhjet u përsëritën më 28 prill. Pjesëmarrja në votime ishte 64% dhe Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës mori 677 vota dhe kështu Kamberi siguroi mandatin e deputetit. Mirëpo, Partia Socialiste e Serbisë së Iviça Daçiqit kërkoi të ëprsëriteshin zgjedhjet pasi një qytetar kishte votuar pa dokumente të vlefshme personale, Kërkesa u miratua.
Zgjedhjet u mbajtën sërish më 27 maj në Tërnovc të Madh. Në votime morën pjesë 618 votues, Kamberi mori 598 vota, të pamjaftueshme për t’u zgjedhur deputet. Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës kontestoi procesin pasi tha se një person kishte votuar pa letërnjoftim. Komisioni zgjedhor nuk i dha të drejtë, por Gjykata Administrative urdhëroi votim të ri.
Në votimin e katërt radhazi, më 23 qershor, ka pasur alarm të rremë për bombë në qendrën e votimit. Për këtë arsye nuk pati votime.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i pyetur ditë më parë rreth procesit në Tërnovc, tha se nuk e kishte shumë të qartë se çfarë po ndodhte atje.
Gjithsesi, pa certifikimin e rezultatit edhe në Tërnovc zgjedhjet nuk janë të mbyllura dhe as Kuvendi i ri i Serbisë nuk mund të mblidhet dhe për të filluar mandatin e tij.
Në zgjedhjet e vitit 2020 shqiptarët morën tre mandate pasi garuan të bashkuar, ndërsa këtë vit zgjodhën që të garojnë në dy lista të ndryshme dhe rrjedhimisht ende nuk e kanë të sigurt asnjë mandat.