Ambasadori austriak ndihmon përtritjen e bredhit të ”Nënës Tereza”

I pari nga diplomatët e huaj që ka reaguar pas letrës sonë të hapur publike në shenjë proteste ndaj shkatërrimit të bredhit të Nënës Tereze nga ana e NP “Parqe dhe Gjelbërime”, ishte Ambasadori i Austrisë në Maqedoninë e Veriut, Shkëlqesia e tij z.Georg Uotsas. Ai bashkë me stafin e tij menjëherë erdhi në vendin ku është shkulur bredhi dhe në shoqërimin tonë, filluam me mbledhjen e boçave të bredhit të shkatërruar, në mënyrë që nga farat e tij të përtërihet edhe një bredh i ri në të njejtin vend.

Marketing

Me këtë gjest, ambasadori austriak përpos që u solidarizua me revoltën e ITSHKSH për dëmin që i është shkaktuar një trashëgimie të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, ai njëherësh dërgoi mesazhin e paqes dhe të përtrirjes, që ishte edhe mision i vet Nënës Tereze. Ideja për të grumbulluar boçat e këtij bredhi të shkatërruar dhe ruajtja e tyre si relikt që do të shërbenin edhe si fara për të mbjellë një bredh të ri, e shpreh më së miri thelbin e këtij mesazhi të ambasadorit austriak.

E faleminderojmë shumë përzemërisisht mikun tonë, Ambasadorin e Austrisë në Maqedoninë e Veriut, Shkëlqesinë e tij z.Georg Uotsas, për këtë gjest qytetërues dhe për mbështetjen morale që po tregon në këtë kohë kur jemi në pritje të përgjigjes së kryetares së Qytetit të Shkupit zonj.Danella Arsovska, për një takim konsultativ lidhur me gjendjen e krijuar pas shkatërrimit të bredhit të Nënës Tereze nga ana e punonjësve të NP “Parqe dhe Gjelbërime”.