S’ka zgjidhje për vendkalimin ilegal në Bit Pazar

Assesi të gjendet zgjidhje për vendkalimin ilegal të këmbësorëve në Bit Pazar. Nuk ka vija të bardha, por qytetarët e kalojnë rrugën pasi edhe ndarja e bulevardit me gardh prej hekuri aty ka ndërprerje.

Marketing

Ura mbi rrugë pothuajse nuk përdoret fare. Kjo gjendje ka krijuar mundësinë që e njëjta të shfrytëzohet për nevoja personale fiziologjike, hedhje mbeturinash dhe vendstrehim për të pastrehët.

Qytetarët shprehin revoltën e tyre duke thënë se kjo gjendje e keqe higjienike e urës përpos që mban erë të pa durueshme, e ulë edhe interesin e frekuentimit të kësaj zone nga ana e turistëve.

“Në këtë urë shumë pak kalojnë tani njerëz, me pamjen që e shihni ju. Kërkojmë të merren masa nga Qyteti i Shkupit ta pastrojnë, sepse kjo duhet të pastrohet. Kështu i humbet edhe Bit Pazarit edhe çarshisë puna, sepse kur kalojnë turistë edhe thonë që nuk kalojmë më kurrë në këtë pjesë. Sidomos këto temperaturat e nxehta mezi që e durojmë këtë erë.”

Nga Qyteti i Shkupit distancohen nga mbikalimi i këmbësorëve në Bit Pazar, duke thënë që nuk është nën kompetencën tonë.

“Duhet të theksojmë se mbikalimi në Bit Pazar është donacion dhe projekt i komunës së Çairit, për të cilin në kohën kur u ndërtua nuk ishte marrë vendim nga Këshilli i Qytetit të Shkupit për pranimin e tij, nën kompetencat e Qytetit të Shkupit. Kështu që mirëmbajtja e objektit nuk është në kompetencën tonë, thonë nga qyteti i Shkupit.

Ndërkaq nga Komuna e Çairit thonë që kjo si përgjegjësi i takon Ndërmarrjes Publike Higjiena Komunale – Shkup dhe jo Komunës së Çairit. Megjithatë premtojnë që nga java e ardhshme do ta përfshinë mbikalimin në planin javor për pastrim.

“Siç kemi përmendur edhe në qëndrimet e mëparshme, mirëmbajtja është nën kompetenca të N.P. Higjiena komunale – Shkup. Duke pasur parasysh gjendjen aktuale të mbikalimit, ne si Komunë e Çairit do të angazhojmë ekipet tona për mirëmbajtjen higjienike, më konkretisht nga fillimi i javës së ardhshme do të bëjmë pastrimin e mbikalimit dhe të njëjtën do ta përfshimë në programin javor për pastrim”, thonë nga Komuna e Çairit.

Kujtojmë që në këtë vend kalim disa herë ka pasur edhe aksidente. Më herët Qyteti i Shkupit u përpoq që kalimin ta mbyll krejtësisht, por tregtarët përmes protestave nuk e lejuan.