Në organizim të Klubit të shkrimtarëve shqiptarë “Penestia”, për të nëntën herë me radhë, në Kërçovë u mbajtën takimet poetike “Hyjnesha Ilire Thana”. Përveç krijuesve me prani fizike nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, vargje poetike përmes platformës online, prezentuan edhe poetë të njohur nga India, Kurdistani, Franca dhe Amerika.
“Klubi i shkrimtarëve kërçovar “Penestia”, edhe sivjet, i mblodhi rrëzë kalasë së Uskanës së lashtë, krijuesit e hapësirave shqiptare dhe poetët nga shumë shtete evropiane dhe botërore, për të shpalosur frymëzimet e tyre poetike, në takimet e nënta me radhë të manifestimit “Hyjnesha Ilire Thana”.
Manifestimin e shpalli të hapur kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, i cili u shprehu mirënjohje të gjithë krijuesve që morën pjesë në këtë manifestim si dhe organizatorëve të cilët për nëntë vite me radhë, e mbajtën gjallë frymën përbashkuese të krijuesve nga mbarë hapësirat shqiptare.
Në orën letrare të mbajtur në mbrëmjen e parë të këtij manifestimi, përveç krijuesve me prani fizike nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, vargje poetike përmes platformës online, i prezentuan edhe poetë të njohur nga India, Kurdistani, Franca dhe Amerika.
Ky manifestim që mbështetet nga komuna e Kërçovës dhe Ministria e Kulturës, nuk ka karakter garimi, por është një eveniment i shoqërimit dhe miqësimit, tha kryetari i klubit “Penestia” Adem Xheladini, i cili nënvizoi se ky organizim synon promovimin e vlerave krijuese dhe motivimin e moshave të reja për lexim dhe krijimtari letrare.
Të nesërmen, nën moton “Kalaja, poeti dhe qyteti”, krijuesit mbajtën një orë letrare në Kalanë e vjetër të Kërçovës, ndërsa në mbrëmje u promovuan veprat “Tregime eseistike” të autorit tetovar Ejup Hajdini, botimi i klubit të shkrimtarëve kërçovar “Hyjnesha Thana” dhe monografia kushtuar misionarit të arsimit shqip Pertef Therepeli “Çuni i Skraparit-djali i Jagollit,”një vepër e profesorit të ndjerë Qamil Fejza, të cilit me këtë rast organizatori i ndau Pllakën e mirënjohjes “Post Mortum”. Manifestimi u mbyllë me orën gazmore, për të cilën u kujdesën këngëtarët e njohur kërçovar Dervish Dervishi, Besiana Mehmedi, Lumturije Axhami, dhe Blerim Lutfiu. (TVM2)