UNT me zgjidhje konkrete se si të prodhohen kuadro të afta pune në përputhje me kërkesat e tregut të punës

Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP), dhe me pjesëmarrje të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës z.Jeton Shaqiri, sot zhvilloi Tryezë të rrumbulakët me titull ‘Harmonizimi i programeve studimore në arsimin e lartë me nevojat e tregut të punës’.
Qëllimi i tryezës ishtë që përmes pjesëmarrjes dhe shkëmbimit të drejtpërdrejtë të ideve me komunitetin e biznesit dhe Ministrinë e Arsimit, të zhvillohet debat se si të arrihet një bashkëveprim dhe bashkëpunim mes tre institucioneve, me qëllim që universitetet të prodhojnë kuadër të nevojshëm për kompanitë, sidomos pregatitjen e profileve që nuk ofrohen nga asnjë universitet në vend.
Rektori Zeqiri gjatë fjalimit të tij prezantoi të dhëna për numrin e madh të të papunëve që kanë të kryer arsim të lartë por që profilet e tyre nuk përputhen me kërkesat e tregut.
‘Pesë kompanitë më të mëdha në botë Microsoft, Google, Apple, Amazon dhe Facebook, kanë hapur universitetet e tyre, ku pregatisin kuadro për nevojat e tyre, dhe arsyeja për këtë hap të tyre është se produktet e tyre kanë krijuar profesione të reja, të cilat nuk i parashef asnjë universitet klasik. E njejta po ndodh tek ne, ka shumë profesione të reja, të cilat nuk i ofron asnjë program studimor’, tha Zeqiri.
Rektori Zeqiri shtoi se UNT mëton të ofrojë programe të shkurtëra për aftësimin e atyre që kanë mbaruar shkollim të lartë, apo pa shkollim të lartë, përmes trajnimeve tre, gjashtë dhe 12 mujore, të certifikuara dhe të akredituara nga MASH.
Kryetari i OEMVP-së z.Nebi Hoxha në paraqitjen e tij tha se arsimi konsiderohet si shtylla kryesore e cila denjësisht ndikon në rritjen dhe zhvillmin ekonomik të një vendi.
‘Duhet ta trajtojmë këtë temë në aspekt konceptual e jo në atë ekonometrik, ngase dukuritë dhe rezultatet vijnë si rrjedhojë e sjelljes dhe qasjes të cilët akterët kryesorë kanë, në këtë rast institucionet e sidomos ato të arsimit, ngase është evident fakti që biznesi dhe institucionet akademike shkollore nuk kanë ndonjë bashkëpunim për tu marrë si shembull’, tha Nebi Hoxha.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës z.Jeton Shaqiri tha se Ministria do të përkrah të gjitha iniciativat që janë në dobi të biznesit dhe akademisë, sepse nga ky bashkëpunim dobi ka gjithë shoqëria. Në Tryezë, paraqitje kishte edhe kryetarja e Senatit të UNT-së, Prof.dr. Suzana Jordanovska, ndërsa tryezën e rrumbullakët e moderoi dhe inicoi debat, prorektori për Financa, zhvillim dhe hulumtime Doc.dr. Bujamin Bela, ku për një orë anëtarët e odës ekonomike dhe profesorët diskutuan për mënyrat e bashkëpunimit.
Në fund u vendos themelimi i Këshillit konsultativ mes UNT, OEMVP dhe MASH që ka për detyrë përcaktimin e programeve të shkurtëra studimore, me qëllim të sigurimit të vendeve të punës që i kërkon tregu i punës.