Ndryshimet në arsim duhet të vazhdojnë, dhe Sindikata e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SASHK) do të japë kontribut aktiv në krijimin dhe zbatimin e politikave me të cilat Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe institucionet tjera kompetente do të përmirësojnë cilësinë e procesit arsimor në vend. Ky është përfundimi i takimit të sotëm të ministrit të Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri me kryetarin e Sindikatës së Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Jakim Nedelkov, ku u bisedua për gjendjen aktuale dhe planet e ardhshme në arsim.
“Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri theksoi se është veçanërisht i kënaqur me bashkëpunimin me SASHK-un në muajt e kaluar në të cilët ai drejton ministrinë dhe pret që ai të intensifikohet në interes të ndërtimit të një sistemi arsimor më të mirë, sepse, siç tha, gjithashtu do të intensifikojnë të gjitha proceset e tjera që duhet ta afrojnë vendin drejt anëtarësimit në familjen evropiane, me të cilën tashmë kanë nisur negociatat”, njoftojnë nga MASH.
Ministri Shaqiri në takimin me Nedelkov ka theksuar se mësimdhënësit janë hallka më e rëndësishme në procesin arsimor dhe pa motivimin e tyre nuk mund të ketë mësim cilësor, e as ndryshimet nuk do të ishin efektive, andaj edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, si dhe SASHK – u, avokojnë për avancimin e të drejtave të tyre dhe kushteve të punës.
“Rritja e pagave të punëtorëve në shkollat fillore dhe të mesme për 15% nga muaji i kaluar është pikërisht rezultat i bashkëpunimit dhe marrëveshjes së suksesshme mes partnerëve socialë”, ka deklaruar Jeton Shaqiri, ministër i arsimit.
Kurse kryetari i SASHK – ut Nedelkov, tha se është i kënaqur me që ministria është e hapur për bashkëpunim dhe realizim të përbashkët të iniciativave që janë në interes të studentëve, mësimdhënësve dhe në përgjithësi në interes të arsimit cilësor. Ai pret, siç tha, që në të ardhmen institucionet e sistemit të ofrojnë një mekanizëm për rritjen e vazhdueshme të të ardhurave personale të pedagogëve.
Në takim u diskutua edhe për procesin e përpunimit dhe dorëzimit të teksteve dhe materialeve të reja mësimore, veçanërisht në arsimin fillor.