Përmes iniciativës për ndryshime në Ligjin për Marëdhënie Detyrimore dhe Ligjin për Ndërmjetësim, të dorëzuar në Qeveri, Avokati i Popullit kërkon që të ndërpritet praktika që debitorët të jenë robër të kamatave dhe interesave para përmbaruesve. Si rezultat i parashtresave të shumta nga ana e qytetarëve në këtë fushë, Avokati i Popullit propozon që kamata ndëshkuese tek përmbaruesi të mos jetë më e madhe se sa borxhi kryesor.
“Pa përkufizimin-limitimin e kamatës ndëshkuese, qytetarët nuk mund të lirohen nga borxhet që kanë se nuk janë në gjendje të paguajnë menjëherë borxhin. Kjo në fakt i shëndrron qytetarët në debitor të përjetshëm në robër të kamatave dhe interesave para përmbaruesve. Interesi ndëshkues -kamata ndëshkuese, nuk ka limit që do të thotë në mënyrë permanente ajo rritet. Duke pasur parasysh se një person mund të ndaje 1/3 e të ardhurave dhe ato psh mund të jenë 10 mijë denarë në rastet më të mira. Pagesa e 10 mijë denarë e një rate tek përmbaruesi, mund të zgjasë 20 vite deri sa të bëhet pagesa, që do të thotë 20 vite do të ec interesi ndëshkues dhe kjo e bën shumën e pagesës që debitori e paguan kreditorit përmes përmbaruesit eshtë e palimituar dhe ajo shëndrrohet në dyfish, trefish më shumë se sa borxhi kryesorë.”, tha Avokati i Popullit Naser Zyberi.
Zyberi pret që Qeveria dhe deputetët të shqyrtojnë me seriozitet iniciativën në fjalë dhe e njejta për një kohë të shkurtër të jetësohet në praktikë, posacërisht tash në kohë krize ekonomike ku rrezikohet mirqënia e qytetarëve.