Grubi në WPS citon Albright: Ka një vend të posaçëm në ferr, për çdo mashkull që nuk ndihmon gratë

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë WPS, i cili po mbahet në Prishtinë tha se duhet t’u përkulemi grave që kanë qenë viktima të dhunë, të cilat kanë marrë guximin për të folur haptazi për përjetimet e tyre gjatë luftës, në mënyrë që të ngrihet vetëdija në mesin e shoqërisë.

Marketing

“Jehona e plagëve të mijëra vajzave dhe grave që ishin viktima të dhunës kundër tyre është shumë e madhe. Shërimi i plagëve të tyre është një mision i rëndësishëm i shoqërisë, jo vetëm i individëve. E di që është një temë e dhimbshme. Duhet të përkulemi për guximin e atyre femrave që duke folur haptazi për përjetimet e tyre, kanë kontribuar për të ngritur vetëdijesimin në mesin e shoqërisë sonë, për të hedhur poshtë të gjitha paragjykimet mbi viktimat e dhunës së grave në luftë”, tha mes tjerash Grubi.

Grubi në fjalimin e tij citoi ish-sekretarja Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright për nder të së cilës u organizua ky forum nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Si një nip i një gjyshe, si një djalë i një nëne, si një burrë i një gruaje, si një baba i dy vajzave, unë them se ndjeshmëria femërore kalon pragun e shtëpisë, është universale. Dhe le të jenë fjalët e modifikuara të mikeshës sonë, sekretares së parë shtetërore në SHBA, Madame Madeleine Albright, për nder të së cilës jemi mbledhur sot, të jetë inspirim për burrat, kur ajo tha, fjalë të modifikuara sërish dua të theksoj, që ka një vend të posaçëm në ferr, për çdo mashkull që nuk ndihmon gratë”, deklaroi mes tjerash Grubi.