Nis Konferenca e OSBE-së së bashku me partnerët e Mesdheut në Jordani

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, në cilësinë e kryesuesit të grupit të partnerëve mesdhetarë për bashkëpunim të OSBE-së, sot në Jordani, së bashku me Ministrin e Jashtëm të Jordanisë, Ajman Safadi, do të hapin Konferencën e sivjetme mesdhetare të OSBE-së.

Marketing

Konferenca e këtij viti organizohet nga Maqedonia e Veriut në bashkëorganizim me vendin nikoqir, Jordaninë. Kjo është hera e parë, pas shtatë vitesh, që mbajtja e Konferencës mesdhetare do t’u kthehet partnerëve nga rajoni, e cila konsiderohet si një hap i madh në forcimin e lidhjeve ndërmjet organizatës dhe partnerëve nga Mesdheu.

Në Jordani kanë mbërritur mbi 200 pjesëmarrës, të cilët në konferencën dyditore do të diskutojnë disa tema të ndryshme prioritare që kanë të bëjnë me fuqizimin e të rinjve dhe grave, ballafaqimin me rreziqet e ndryshimeve klimatike dhe trafikimin e qenieve njerëzore.

Përpos nikoqirëve, ministrat Osmani dhe Safadi, fjalim hyrës pritet të kenë edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë, Zbigniev Rau, si Kryetar aktual i Organizatës, si dhe Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së, Helga Shmid.

Pas panelit prezantues, Ministri Osmani, i shoqëruar nga përfaqësues të tjerë të lartë, do të ketë takim me mbretin e Jordanisë, Abdullah bin el-Husein II.