Besimi: Për të tretin vit pas krizës së Covid-it e ngushtojmë deficitin e buxhetit

Deficiti i buxhetit do të vijojë të ngushtohet edhe me buxhetin e ri për vitin 2023, ku për të tretin vit radhazi, që nga kriza e Covid-19 e në vazhdim, zbatojmë konsolidimin gradual fiskal. Deri në vitin e ardhshëm maturojnë detyrimet e vjetra në vlerë prej 800 milionë, duke përfshirë edhe euroobligacionin prej 450 milionë euro të emetuar në vitin 2016. Në periudhën afatmesme, mbeten ende disa barriera që duhen kapërcyer për sa i përket financimit të detyrimeve të maturuara, para së gjithash detyrimeve të akumuluara gjatë krizës së Covid-it. Por me qasje të moderuar dhe me miksin e kursimit si dhe zhvillimin e politikave përkatëse që do të stimulojnë rritjen dhe do t’i rrisin të hyrat, do t’i tejkalojmë edhe ato, shkruan ministri i Financave, Fatmir Besimi, në kolumnën e tij të fundit.

“Vetëm në bazë kryegjësë (principalit), maturojnë detyrimet e vjetra prej rreth 800 milionë euro, nga të cilat 450 milionë euro i referohen euroobligacionit të emetuar në vitin 2016. Njëkohësisht, interesi për vitin e ardhshëm është rreth 240 milionë euro, ose totali i borxhit të maturuar dhe interesit së bashku tejkalojnë miliarda euro. Megjithatë, duke marrë parasysh të gjitha masat e planifikuara në drejtim të konsolidimit fiskal, ne vijojmë të jemi në rrugën e uljes graduale të deficitit. Sipas kontureve të buxhetit për vitin e ardhshëm, deficiti fiskal ngushtohet gradualisht, për t’i përmbushur targetet afatmesme. Pritshmëritë për vitin e ardhshëm janë që deficiti i buxhetit të ulet në raport me këtë vit, me ç’rast do të vazhdojmë ta ulim deficitin për të tretin vit radhazi pas vitit 2020, respektivisht pas krizës së Covid-it.”, shkruan Besimi.

Marketing

Besimi thekson se zbatojmë konsolidim gradual fiskal, që do të përkrahë rritjen ekonomike. Miksi përbëhet nga: I. Përmirësimi i arkëtimit të të hyrave të buxhetit nëpërmjet përforcimit të kapaciteteve administrative dhe përmirësimit të shërbimeve të DAP-it dhe Doganës, masave për uljen e ekonomisë gri dhe reformës tatimore, II. Reduktimi dhe ristrukturimi i shpenzimeve buxhetore, reduktimi i shpenzimeve rrjedhëse, përkrahja më e madhe e sektorit privat, përkrahja e inovacionit dhe përforcimi i konkurrencës, rishikimi i metodologjive të transfertave dhe subvencioneve dhe III. Ndryshimet në burimet e financimit të deficitit të buxhetit, riprogramimi i borxhit publik, diversifikimi më i madh i burimeve të financimit të deficitit, por edhe financimi dhe zbatimi i projekteve të caktuara përmes partneriteteve publiko-private, Fondit Zhvillimor për investime strategjike dhe mobilizimit të kapitalit financiar nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe nga sektori privat.

“Sa i përket dy pikave të para, Qeveria miratoi Planin për qëndrueshmëri fiskale dhe përkrahje të rritjes ekonomike. Ai përbëhet nga tre pjesë: konsolidimi i shpenzimeve në institucionet shtetërore, përmirësimi i arkëtimit të detyrimeve si dhe masat dhe rekomandimet për ndërmarrjet publike dhe shoqëritë tregtare në pronësi shtetërore. Gjithashtu përfshin edhe konceptin e konsistencës dhe optimizimit të politikave dhe reformave ekonomike në lidhje me rritjen ekonomike, si dhe treguesit e performancës së programeve të buxhetit lidhur me politikat dhe reformat ekonomike prioritare – i njohur si koncepti “vlera e parasë” (value for money) në buxhet. Për pikën e tretë, mekanizmat e duhur parashihen me Planin e rritjes së përshpejtuar ekonomike, që i referohet rimëkëmbjes së ekonomisë dhe përshpejtimit të rritjes ekonomike mesatarisht në 5% gjatë pesë viteve të ardhshme.”, shkruan Besimi.