Pas përfundimit të fazës përgatitore të informatës së miratuar së fundmi në seancën e Qeverisë për nënshkrimin e Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e diasporës ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe 23 komunave që shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunim, në ditët në vijim do bëhet nënshkrimi i tyre me secilën komunë veçmas.
Në këtë rast, Ministri i angazhuar për diasporë Dr. Xhemail Çupi autorizohet që në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi në fushën e diasporës ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe komunave, të përfaqësuara nga kryetarët e tyre.
Informacioni tregon qartë detyrën e këtyre zyrave, të cilat janë paramenduar që të kenë rol ndërmjetësues dhe do të shërbenin si qendra në të cilat anëtarëve të diasporës sonë u mundësohet dhe lehtësohet qasja në informacionin e nevojshëm dhe marrja e udhëzimeve shtesë në procedurat përkatëse para institucioneve kompetente, gjatë qëndrimit të tyre në vendin amë.
Rrjedhimisht, në proces është e përfshirë edhe Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, e cila, sipas informacionit obligohet që brenda 15 ditëve nga hapja e zyrave komunale për bashkëpunim me diasporën të angazhojë punonjësit e saj për të bashkëpunuar në koordinim me punonjësit e komunave të caktuara për punë në projektin “Qendra për Diasporë”, në mënyrë që bashkërisht t’u dalin në ndihmë qytetarëve të diasporës.
Me këtë arrihet thelbi i përpjekjeve të kabinetit të Ministrit të angazhuar për diasporë në drejtim të realizimit të njërit prej prioriteteve strategjike si pjesë e programit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në pajtim me Strategjinë nacionale për bashkëpunim me diasporën të vitit 2019-2023 dhe gjithashtu përmbushja e misionit primar të mishëruar në mirëqenien e diasporës.