Osmani: Maqedonia e Veriut nuk ndërton interesa në dëm të Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në një intervistë për RTK-në foli edhe për “Procesin e Berlinit” dhe për nismën “Ballkani i Hapur”. Ai tha se “Procesi i Berlinit” është i rëndësishëm, sepse rikthehet fokusi gjerman tek rajoni, që është i rëndësishëm për ne.

Marketing

“Procesi i Berlinit për Maqedoninë e Veriut është i rëndësishëm për dy arsye: një, sepse është për një treg të përbashkët dhe e dyta, marrëveshja për lëvizje të lirë. Kjo ishte nismë e Maqedonisë së Veriut e tani po zbatohet në tregun e përbashkët rajonal, që është edhe qëllimi i Procesit të Berlinit”, tha ai.

Osmani “Procesin e Berlinit” e konsideron si nismë ”ombrellë”, si epiqendër e çdo nisme tjetër.

”Procesi i Berlinit krahasuar me Ballkanin e Hapur, për Osmanin është se Procesi i Berlinit është epiqendër për nismat rajonale, kurse Ballkani i Hapur është nismë autoktone e rajonit, kjo nuk do të thotë se janë kundër njëra- tjetrës, por komplementojnë njëra- tjetrën”, tha Osmani në intervistën dhënë RTK-së.

Për Osmanin, këto nisma as nuk krahasohen mes veti, ngase, sipas tij, Procesi i Berlinit është i plotë, është BE aty, ka trupa ekzekutivë, ka fonde të veta, ka edhe shumë gjëra tjera, ndërkohë që Ballkani i Hapur, thotë ai, është nismë në tentativë, nismë rajonale për bashkëpunim.

Ndërsa, sa i përket Serbisë, rolin e saj në Ballkanin e Hapur, Osmani theksoi se Serbia bashkëpunon me dy vende të NATO-s, që është më mirë, sesa të bashkëpunojë me vendet tjera.

Lidhur me Kosovën në këtë iniciativë, Osmani shtoi se Maqedonia e Veriut ka miqësi e partneritet me Kosovën, që nuk do të ndërtojë interesa në dëm të interesave të Kosovës, as edhe ndonjë vendi tjetër.

”Parimi ynë është që ne nuk ndërtojmë interesin tonë në dëm të interesit të Kosovës. Mendoj se vendet e vogla duhet të shfrytëzojnë çdo platformë për të shprehur interesat e veta”, deklaroi në fund ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Lidhur me gjendjen e tanishme në rajon, në dialogun mes Kosovës e Serbisë, për targat, që tani është aktuale, ministri Osmani theksoi se “status quo-ja nuk është në interes as të Kosovës e as të Serbisë, ndaj duhet shfrytëzuar kjo situatë që të mos bien pre e çfarëdo eskalimi të situatës, sepse është në interes për keqpërdorime të qendrave të tjera”.

Ndërsa lidhur me gjetjen e zgjidhjes së situatës së tanishme, Osmani shtoi se “në situatën aktuale në rajon, mes Kosovës e Serbisë, veçmas tani për marrëveshjen për targat, si dhe në zbatimin e pushtetit në tërë territorin e saj, Kosova duhet patur kujdes, se tani është një kohë që kërkon maturi në gjetjen e zgjidhjes, që nuk do të lejonte hapësirë pë vendet e treta.”/RTK