Kosovë/ Masa paralajmëruese për përdoruesit e targave të makinave të lëshuara nga Serbia

Autoritetet e Kosovës filluan të martën të lëshojnë paralajmërime në vendkalimet kufitare pasi qeveria ndryshoi një vendim për ndalimin e përdorimit të targave të makinave të lëshuara nga Serbia, duke shpallur një zbatim shkallë-shkallë të tij.

Marketing

Në letrat paralajmëruese u bëhet thirrje qytetarëve serbë të Kosovës t’i zëvendësojnë targat e lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës.

Një qytetare serbe që mori një letër të tillë në mesnatë tha se ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë me targat e makinës.

“Për momentin është ajo që është, do ta shohim”, tha ajo.

Masa paralajmëruese pritet të zgjasë deri me 21 nëntor nga kur do të pasojnë gjobat prej rreth 150 eurosh për të gjithë ata që vazhdojnë të përdorin targat që Kosova i cilëson të paligjshme.

Sipas vendimit të qeverisë nga data 21 Janar 2023, makinat duhet të pajisen me targa provuese ndërsa pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet lëvizja e tyre brenda territorit të Kosovës.

Ndryshimi i afatit u pa edhe si një lëshim para kërkesave perëndimore për një shtyrje prej dhjetë muajsh.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price tha mbrëmë se Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar nuk i kërkuan Kosovës shtyrje të pjesshme.

“Ne kemi qenë të qartë, publikisht dhe privatisht, se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara kërkon një shtyrje të plotë të zbatimit të këtyre çështjeve. Ne nuk kërkojmë një shtyrje të pjesshme, nuk kërkojmë zbatim në faza. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar qeverisë së Kosovës një shtyrje të plotë”, tha ai.

Zëdhënësi Price ritheksoi në një konferencë me gazetarë se Shtetet e Bashkuara janë “të zhgënjyera” dhe e “të shqetësuara” që qeveria e Kosovës refuzoi kërkesën dhe këshillën e partnerëve të saj më të ngushtë sa i përket zbatimit të vendimit.

Edhe Bashkimi Evropian është shprehur i zhgënjyer që qeveria e Kosovës nuk dëgjoi këshillat për zgjatjen e afatit.

Në një reagim të bllokut thuhet se Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat e vjetra “por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative”.

Vendimi i qeverisë së Kosovës ishte një veprim për të shmangur tensionet në veri ku përfaqësuesit serbë nuk pajtohen me ndryshimin e targave dhe kanë paralajmëruar rezistencë në çastin kur shqiptohet gjoba e parë.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Milosh Vuçeviç tha të martën gjatë një interviste për televizionin “Happy” se presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka urdhëruar që ushtria të jetë në gjendje gatishmërie për shkak të situatës në Kosovë.

Tensionet e verës së këtij viti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rreth përdorimit të dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave nxitën një reagim më të ngjeshur diplomatik për të shmangur përplasjet në një periudhë zhvillimesh të ndjeshme politike në Evropë për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

Ndërsa partitë opozitare në Kosovë kritikuan qeverinë e vendit për siç thanë dëmtimin e interesave strategjike të vendit duke mos përfillur kërkesat e aleatëve në një periudhë kur janë shtuar përpjekjet për të çuar përpara procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, sipas një plani të propozuar nga Franca e Gjermania e që po mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.