Akullnajat e fundit të Afrikës janë të destinuara të zhduken deri në vitin 2050. Nga tani e deri 30 vjet më vonë, akullnajat e pranishme në një të tretën e vendeve të mbrojtura nga UNESCO mund të zhduken, pavarësisht nga përpjekjet e bëra për të frenuar temperaturat globale.
Lista përfshin vende ikonike të dashura nga turistët ose të shenjta për popullsinë vendase, si akullnajat në malin Kilimanxharo, Tanzani, apo ajo në malin Kenia, e fundit e mbetur në Afrikë, por edhe akullnajat e Dolomiteve në veri të Italisë.
Raporti që mbërriti në prag të COP27, nga Konferenca e Palëve për klimën që zhvillohet nga 6 deri më 18 nëntor 2022 në Sharm El Sheikh të Egjiptit, bën thirrje për të vepruar. Sipas tyre, është ende e mundur të shpëtohen dy të tretat e akullnajave, me kusht që rritja e temperaturave mesatare globale të mbetet e kufizuar në ato +1,5 ° C, në krahasim me epokën paraindustriale që shkenca e ka identifikuar si një prag që nuk duhet kapërcyer.
Pesëdhjetë vende të mbrojtura nga UNESCO janë të vendosura në lartësi mjaft të larta. Raporti numëron një total prej 18.600 akullnajash, 66.000 km katrorë gjithsej, 10% e të gjithë sipërfaqes së akullnajave të Tokës. Disa akullnaja rekord i përkasin këtij grupi, si p.sh. më i larti në Kilimanxharo, më i gjati në Alaskë dhe të tjerë më pak të famshëm, por jo më pak të rëndësishëm si pellgje uji të ngrirë që garantojnë sigurinë ujore të popullatave. Nëse ato do të zhdukeshin, pastrimi i ujit në mot të nxehtë, nuk do të ishte më i garantuar.
Raporti i ri i UNESCO-s në bashkëpunim me Unionin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) konfirmon se këto akullnaja janë tërhequr me një ritëm të përshpejtuar që nga viti 2000, pas një periudhe stabiliteti relativ që përfundoi 70 vjet më parë, për shkak të emetimeve të CO2 që shkaktuan ngrohjen e temperaturave atmosferike. Vetëm në vendet e Trashëgimisë Botërore, 58 miliardë tonë akull humbasin në vit, ekuivalente me konsumin vjetor të ujit të Francës dhe Spanjës. Uji i shkrirë nga këto akullnaja është përgjegjës për gati 5% të rritjes së nivelit të detit të vërejtur gjatë 20 viteve të fundit.
Akullnajat e Mont Perdu në Pyrenees, midis Spanjës dhe Francës; ato të Parkut Kombëtar Los Alerces në Argjentinë; ato të Parkut Kombëtar Huascaran në Peru; ato në Parkun Kombëtar Yellowstone dhe Parkun Kombëtar Yosemite në Shtetet e Bashkuara; ato të Te Wahipounamu në Zelandën e Re, janë pjesë e listës.
Studimi, bazuar në projeksionet e bazuara në të dhënat satelitore, saktëson se shpenzimet e këtyre humbjeve do të ndihen kryesisht nga komunitetet lokale dhe popullsitë indigjene, të cilët mbështeten tek akullnajat për të siguruar ujin për ujitje. “Akullnajat janë një nga treguesit e vlefshëm të ndryshimeve klimatike, sepse ato janë të dukshme”, shpjegojnë ekspertët.
Ndonëse tani nuk mund të bëjmë asgjë për të mbrojtur atë që është e destinuar të zhduket, ne mund të përpiqemi të shpëtojmë ende shumicën e akullnajave të tjera, madje edhe ato më pak të famshmet, duke u angazhuar për të kufizuar emetimet e dëmshme dhe duke ushtruar presion mbi politikën për të marrë vendime të guximshme klimatike.