Nënshkruhen kontrata për 29 projekte zhvillimore në tetë rajonet planifikuese me vlerë të përgjithshme mbi 422 milionë denarë

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, së bashku me ministrin e Vetëqeverisjes Lokale, Risto Penov dhe drejtorin e Byrosë për Zhvillimin Rajonal, Ramiz Rexhepi morën pjesë në nënshkrimin e kontratave për realizimin e projekteve zhvillimore të rajoneve planifikuese me fondet e parashikuara nga Programi për zhvillim të balancuar rajonal për vitin 2022.

Marketing

Programi parasheh realizimin e 29 projekteve zhvillimore në tetë rajonet planifikuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në vlerë të përgjithshme prej mbi 422 milionë denarë.

Në prag të nënshkrimit të kontratave, zëvendëskryeministri Bytyqi u shpreh i kënaqur që Vendimi i Qeverisë për financimin e projekteve për zhvillimin e rajoneve planifikuese për vitin 2022 është duke u finalizuar. “Qëllimi është zhvillimi i vendit tonë dhe shpresoj që këto mjete që do të ndahen sot për çdo projekt individual, të shfrytëzohen në maksimum, me përgjegjësi dhe me vetëdije” – theksoi Bytyqi. Ai u uroi sukses bartësve të projekteve dhe shprehu besimin se Byroja për Zhvillim Rajonal do të monitorojë në vazhdimësi procesin e realizimit të tyre.

Koncepti i zhvillimit të balancuar rajonal parashikon mbështetje të vazhdueshme financiare nga shteti dhe një shkallë të lartë të koordinimit ndërmjet ministrive, donatorëve dhe palëve të prekura në nivel rajonal dhe lokal.

Politika për zhvillim të balancuar rajonal është e pozicionuar lart në mesin e prioriteteve të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe qëllimi i saj është përmirësimi i mirëqenies së rajoneve, zvogëlimi i pabarazive rajonale dhe përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve përmes realizimit të zhvillimit të balancuar dhe të qëndrueshëm në të gjithë territorin e shtetit.