Besimi: Dokumente të nënshkruara me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë për avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimin ekonomik

Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë avancojnë bashkëpunimin në fushën e financave publike dhe procesin e aderimit në BE, si dhe bashkëpunimin ekonomik nëpërmjet zbatimit praktik të marrëveshjeve për vendosjen e vendkalimit të përbashkët kufitar në Qafë Thanë dhe njohjen e ndërsjellë të operatorëve ekonomikë të autorizuar.

Marketing

Kjo u mundësua me nënshkrimin e tre dokumenteve nga ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë së Republikës së Shqipërisë, Delina Ibrahimaj në kuadër të mbledhjes së përbashkët qeveritare, që u mbajt dje në Shkup.

 

Ministri i Financave, Fatmir Besimi theksoi se Memorandumi do të vendosë bashkëpunim efikas dhe të koordinuar ndërmjet dy ministrive për shkëmbimin e informacioneve në fushën e financave publike dhe zbatimin e reformave që do t’i afrojnë të dy vendet me standardet e BE-së dhe do ta përshpejtojnë rrugën për anëtarësim në BE.

 

“Me këtë Memorandum, bashkëpunimi  i vendosur mes dy institucioneve do të jetë kontribut në përpjekjet e vendeve tona për zhvillim më të shpejtë të rrugës që kemi nisur. Shkëmbimi i informacioneve dhe përvojave do të kontribuojë në zbatimin më të shpejtë të reformave. Ministria e Financave dhe Qeveria janë të përkushtuara ndaj agjendës së BE-së. Mledhja e përbashkët qeveritare me Republikën e Shqipërisë që u mbajt në Shkup është hap i përpjekjeve dhe hap drejt avancimit të bashkëpunimit në përgjithësi dhe veçanërisht atij ekonomik. Protokollet që i nënshkruajmë në kuadër të kësaj mbledhjeje të përbashkët, kontribuojnë gjithashtu në rritjen e tregtisë reciproke, duke përshpejtuar qarkullimin e mallrave mes dy vendeve”, theksoi ministri.

Me këtë Memorandum, do të vendoset bashkëpunim i koordinuar dhe efikas ndërmjet dy ministrive lidhur me zbatimin e tij. Të dyja ministritë do të shkëmbejnë informacione sa i përket harmonizimit të legjislacionit nacional me legjislacionin e BE-së në fushën e financave publike, menaxhimit të investimeve publike, përkatësisht planifikimit të tyre, shpërndarjes dhe realizimit të projekteve publike infrastrukturore, përmirësimit të procesit të planifikimit të buxhetit, parandalimit të krijimit të detyrimeve të reja financiare, politikave tatimore, luftës kundër ekonomisë joformale dhe evazionit tatimor, revizionit të brendshëm, si dhe reformës së menaxhimit të financave publike.

 

Në këtë mënyrë, bashkëpunimi i ndërsjellë dhe avancimi i marrëdhënieve ekonomike kanë rëndësi të veçantë dhe kjo paraqet kontribut mbi përshpjetimin e zhvillimit ekonomik të të dyja vendeve. Në këtë drejtim janë edhe protokollet e nënshkruara për vendosjen e kontrollit të përbashkët doganor në vendkalimin kufitar Kjafasan – Qafë Thanë dhe njohjen e përbashkët të licencave të lëshuara për operatorë të autorizuar ekonomikë.

 

Protokolli ndërmjet Ministrisë së Financave – Drejtoria Doganore e Republikës së Maqedonisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë – Administrata Doganore e Republikës së Shqipërisë është një hap më tej sa i përket zbatimit të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, lidhur me vendosjen e vendkalimeve të përbashkëta kufitare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut në vendkalimin kufitar ndërkombëtar Kjafasan – Qafë Thanë. Kjo nënkupton zhvillimin e konceptit lidhur me kontrollin e  përbashkët kufitar ndërmjet të dyja vendeve, që do të kontribuojë në shkurtimin e kohës së pritjes dhe lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave ndërmjet të dyja vendeve.

 

Po ashtu, në drejtim të lehtësimit të tregtisë ndërmjet të dyja vendeve është edhe Protokolli i nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Financave – Drejtoria Doganore e Republikës së Maqedonisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë – Administrata Doganore e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e Marrëveshjes së njohjes së ndërsjellë të lejeve për operatorin e autorizuar ekonomik – siguri dhe mbrojtje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Protokolli do të thotë promovimin e sigurisë tregtare, heqjen e barrierave në tregtinë mes të dyja vendeve, vendosjen e marrëdhënieve më të ngushta, me ç’rast kjo është në drejtim të zhvillimit më të fuqishëm ekonomik, si dhe harmonizimin me praktikat e BE-së.

Kjo do të mundësojë procedura të thjeshta dhe të parashikueshme në procedurën doganore, doganim më të shpejtë të mallrave, siguri dhe komunikim më të madh mes partnerëve, si dhe marrëdhënie më të mira me organet doganore dhe organet e tjera shtetërore.

Memorandumi i nënshkruar dhe dy protokollet janë pjesë e dokumenteve të nënshkruara në kuadër të mbledhjes së dytë ndërqeveritare mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë.