“Dhuratë nga Zoti”, flet arbitri që zotëron topin më të famshëm në botë

Pas vdekjes së Diego Armando Maradonës rreth dy vite më parë, shumë sende nga jeta dhe karriera e futbollistit legjendar dolën në ankand dhe u shitën për shifra marramendëse.

Marketing

Në muajin maj, fanella që ai kishte veshur në ndeshjen ndaj Anglisë, në Botërorin e vitit 1986, u shit për 9,3 milionë dollarë.

Sa i përket topit të asaj ndeshjeje, aktualisht zotërohet nga arbitri që gjykoi supersfidën, pasi FIFA në atë vit vendosi që topin do ta merrnin në shtëpi arbitrat e ndeshjeve përkatëse.

Ali Ben Nasser, tuniziani 78-vjeçar, thotë se me paratë që do të marrë nga shitja e topit, një pjesë do t’i japë për bamirësi, ndërsa një pjesë tjetër do ta përdorë për të “rritur paksa standardin e jetesës”.

“Është një dhuratë nga Zoti pas një karriere 25-vjeçare”, tha ish-arbitri për CNN Sport.

I pyetur për golin e parë të Maradonës, që u shënua me “Dorën e Zotit”, Nasser mbrojti vendimin e tij duke argumentuar se udhëzimet e FIFA-s ishin që arbitrat të bazoheshin tek anësori nëse nuk e kishin parë mirë aksionin.

“Nuk e pashë mirë se çfarë ndodhi në dyluftimin ajror të Maradonës me Shiltonin dhe ktheva sytë nga anësori Bogdan Dochev. Ai u nis për në mesfushë, që do të thotë se goli ishte i rregullt. Unë zbatova udhëzimet e FIFA-s”, tha Nasser.

Nga ana e tij, Dochev, i cili ndërroi jetë 5 vite më parë, pati deklaruar se iu duk se pa “diçka të parregullt”, por protokolli i FIFA-s nuk lejonte anësorët që të diskutonin vendimet me arbitrin kryesor.