Me rastin e 20-vjetorit të studimit ndërkombëtar “Sjelljet e lidhura me shëndetin te fëmijët e moshës shkollore në Maqedoninë e Veriut”, Qendra psikosociale dhe e aksionit të krizës – Shkup dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës e RMV, Universitetit të Tetovës i ndau mirënjohje për kontribut të vazhdueshëm në qëndrueshmërinë e realizimit të këtij studimi longitudinal, i cili mundëson të fitohet pasqyrë holistike mbi shëndetin dhe sjelljen e të rinjve në RMV, por edhe në raport me të rinjtë e 51 vendeve të tjera.
Ky aktivitet u organizua nën mbështetjen e Zonjës së parë të vendit tonë, Elizabeta Gjorgievska, ku Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Shefik Shehu e pranoi mirënjohjen për Universitetin e Tetovës.
Mirënjohje iu nda edhe stafit të UT-së, nga Programi studimor i Psikologjisë, Doc. Dr. Sheruze Osmani Ballazhi, Doc. Dr. Luljeta Bexheti dhe Prof. Dr. Ibrahim Neziri, si pjesë e ekipit nacional të Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë kontribuar që vendi ynë të vazhdojë të jetë anëtar i barabartë me 51 shtete të tjera nga Evropa, Amerika Veriore, Kanadaja dhe Australia, në gjurmimin e sjelljeve dhe shëndetit të rinjve të moshës shkollore 11, 13 dhe 15 vjeçare.
Gjatë vitit 2022, Universiteti i Tetovës siguroi që studimi për herë të parë të realizohet në formë elektronike, duke ofruar një sistem të një niveli të lartë dhe të përshtatshëm për mbledhjen e të dhënave.
Të dhënat e studimit mundësojnë krijimin e politikave, me qëllim të përmirësimit dhe avancimit të mirëqenies së të rinjve.