Aleanca për Shqiptarët ka reaguar lidhur me gjendjen për furnizimin me energjinë elektrike në vend, e cila sipas kësaj partie është më se kritike dhe alarmante.
Sipas ASH-së vetëm për muajin nëntor 2022, në mungesë të prodhimit nga kapacitetet energjetike në vend, përmes prokurimit publik janë importuar 87.000 MWh energji elektrike nga furnizuesit që operojnë në tregun energjetik, sasi për të cilën nga buxheti i shtetit janë ndarë mbi 20 milionë euro.
Parashikimet janë të zymta, pasi edhe gjatë muajit dhjetor të këtij viti, në mungesë të prodhimit nga kapacitetet energjetike në vend, do të duhet që sasinë e nevojshme për furnizim me energji elektrike ta sigurojmë nga importet, ku projeksionet e parashikimeve përllogariten se do të duhet të ndahen nga buxheti i shtetit mbi 30 milionë euro, pasi në bursat energjetike në Evropë çmimet kanë shënuar këto ditë tendencë rritjeje, ku 1 MWh tregtohet me afro 400 euro.
Sipas Ash-së edhe pse në shumë dalje publike, eksponentët qeveritar e udhëheqësit e impianteve energjetik në vend deklaronin se janë ndërmarrë të gjitha masat dhe se është kontraktuar lënda e parë e nevojshme për vënien në punë me kapacitet të plotë të kombinatit minerare nergjetik “Manastiri” dhe “Oslomej “, faktet dhe dëshmitë flasin ndryshe, pasi nga tre blloqet prodhuese në KME “Manastiri” në funksion në të shumtën e rasteve janë dy blloqe, ndërsa KME ” Oslomej” në të shumtën e kohës është jashtë funksionit për shkak të riparimit apo evitimit të defekteve, dhe si rezultat i mosfunksionimit dhe mungesë të prodhimit vendor sasinë e nevojshme për furnizim me energji elektrike detyrohen ta sigurojnë nga importet.