KHF Çair pëson disfatë ndaj izraeliteve të Makabi Arzim

Klubi i hendbollit të femrave – Çair, ka pësuar disfatë 30:33 në ndeshjen e parë të raundit të tretë të Kupës EHF kundrejt skuadrës izraelite të Makabi Arazim Ramat gan, njofton “infOSport.mk”.

Marketing

Edhe pse optimizmi nuk mungoi para këtij takimi, gjërat shkuan ndryshe sonte në parketin e palestrës në Autokomandë, aty ku vashat e KHF Çair patën përkrahjen e duhur, por që realisht në disa raste u mungoi fati.

Kjo vlen të theksohet sidomos në pjesën e dytë, kur në dy raste ekipi ynë kishte mundësinë të rikthehej në një apo dy gola disavantazh ndaj kundërshtarëve izraelit të Makabi Arazim Ramat gan.

Pjesa e parë u mbyll me shifrat 18:13 në favor të mysafireve nga Izraeli, të cilat në pjesën e dytë në disa raste treguan rënie, mirëpo gabimet e vashave të Basri Bajramit, apo thënë edhe dëshira për të shënuar dhe për t’iu afruar sa më shpejtë kundërshtarit bënë që në fund disfata të jetë e pashmangshme, pavarësisht që pjesa e dytë foli në të mirë të KHF Çair, me shifrat 17:15.

Më efikase në rradhët e KHF Çair dhe njëherit e gjithë takimit, ishte Teodora Guliçoska, që realizoi plotë 14 gola, më shumë se dyshja më efikase e Makabi Arazim Ramat gan, Julia Khavronina dhe Ekaterina Lubianaia, që shënuan nga 6 gola.

Ndryshe përveç Guliçoska, me lojë të mirë te KHF Çair u dallua edhe Marija Nikollovska që realizoi 6 gola nga po aq goditje, ndërsa në listën e golashënuesve u regjistruan edhe Amela Xhamkiç (3 gola), Sashka Filiposka (2), Shadije Rexhepi (1), Leonora Rrahmani (1), Srefanija Gjorgjievska (1), Mariami Mikhelidze (1) dhe Biljana Damçeska (1).

Kështu pas një javësh ndeshjen e kthimit në Makabi, të përzgjedhurat e trajnerit Basri Latifi do të duhet ta nisin me 3 gola minus, një shifër kjo jo e paarritshme për vashat tona. (infOSport.mk)