Në një situatë aspak të mirë për Juventusin, kur është larguar i gjithë bordi drejtues, presidenti i PSG, Nasser Al Khelaifi, i jep një tjetër goditje bardhezinjve.
Ai ka folur për Superligën europiane, një iniciativë e Real Madrid, Barcelona dhe Juventus. Presidenti i PSG ka qenë që në fillim kundër kësaj nisme, ndërsa tashmë ka ironizuar bardhezinjtë.
“Superliga? Asnjë klub nuk do të merrte pjesë dhe asnjë nuk do të shkonte në stadium për të parë ndeshjet. Do të ishte një kompeticion me vetëm tre skuadra (Juventus, Real dhe Barcelona). Fansat e futbollit nuk do ta lejonin kurrë krijimin e një kompeticioni si Superliga. Këtyre tre klubeve që kërkojnë Superligën, iu them se nëse nuk iu pëlqen Champions League, atëherë të mos marrin pjesë. Le ta luajë Juventusi Superligën e vetme në një stadium në shkretëtirë”, tha Al Khelaifi.