Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorit ka shkuar në televizionin Klan Kosova.
Kjo pas dyshimeve se disa nga banorët kanë tymosur cigare të dyshimta, shkruan Gazeta Insajderi.
Lajmin e ka konfirmuara Adriatik Kelmendi, drejtori i Klan Kosova.
Njoftimi i plotë i Adriatik Kelmenit, drejtorit të Klan Kosova:
Të dashur shikues,
për ta hequr çdo dyshim lidhur me disa raportime të caktuara në media, të cilat kanë indikuar se banorët e Big Brother VIP Kosova mund të jenë duke tymosur cigare të dyshimta, bëjmë me dije se bëhet fjalë për duhan të mbështjellur.
Lidhur me këto dyshime, ne sot pasdite kemi pasur edhe një vizitë nga përfaqësues të Policisë së Kosovës, të cilët me urdhër të prokurorit, kanë zhvilluar biseda me persona përgjegjës të produksionit të spektaklit dhe kanë vërtetuar se bëhet fjalë për duhan. Konfirmojmë se nuk bëhet fjalë për bastisje, ose diçka të ngjashme.
Megjithatë, ne kemi marrë masa që të eliminohet krejtësisht nga hapësira e shtëpisë së spektaklit duhani i llojit të tillë, i mbështjellur, me qëllimin që të shmangim edhe sugjestionimin eventual se në këtë mënyrë po promovohen substanca të ndaluara.
Secili nga banorët e shtëpisë së BBVK kanë nënshkruar një kontratë shumëfaqëshe me produksionin, në të cilën nënvizohen gjërat e lejuara dhe të ndaluara për kohën sa qëndrojnë brenda këtij prodhimi televiziv, kurse ne si produksion do ta shtojmë vigjilencën që situata të cilat mund të sjellin keqkuptime të eliminohen për aq sa munden.
Duke e shfrytëzuar këtë rast, po ashtu duam të sqarojmë se një numër i konsiderueshëm i stafit të angazhuar për projektin e BBVK jo domosdoshmërisht kanë përvojë të mëhershme televizive. Së këndejmi, kemi vërejtur se ditë më herët na është përvjedhur brenda shtëpisë edhe një produkt i padëshiruar konsumues. Edhe me këtë rast, është intervenuar menjëherë që produktet e tilla konsumese të largohen nga hapësiram e shtëpisë.
Mbi të gjitha, ne duam të ju falëmnderojmë shumë për përkrahjen që kemi marrë nga shikuesit e shumë të spektaklit të parë Big Brother në Kosovë dhe, po ashtu, edhe për kritikat. Të gjitha janë të mirëseardhura, meqë kjo është hera e parë edhe për ne që realizojmë një spektakël të përmasave të këtilla dhe disa lëshime edhe mund të ndodhin.
Nëse dikush është ndier i ofenduar nga ndonjë lëshim i paqëllimshëm, duam të kërkojmë falje!
Faleminderit! Dhe na shikoni, na shkruani, na kritikoni dhe përgëzoni edhe në 95 ditët në vazhdim!
Shihemi sonte prej 21:00, me spektaklin e dytë me radhë!