Kombëtarja e Argjentinës ka siguruar finalen e Kupës së Botës 2022, finale kjo e dyta në karrierë për Lionel Messin. Kroacia ndal aventurën këtu.
Kombëtarja e Argjentinës ka fituar ndeshjen gjysmëfinale ndaj Kroaicsë, me rezultatin 3:0, shkruan lajmi.net.
Kroatët e nisën më mirë takimin, duke administruar me qarkullimin e topit, por Argjentina ishte skuadra konkrete.
Ishte minuta e 34’ kur Julian Alvarez fitoi një penallti për Argjentinën dhe këtë penallti e konvertoi në gol Lionel Messi.
Vetëm pesë minuta më vonë, Julian Alvarez doli përsëri në skenë, kësaj radhe në rolin e golashënuesit, për dyfishimin e epërsisë. Me këto dy gola u vulos rezultati i pjesës së parë.
Në pjesën e dytë, Argjentina pati mbrojtje të ngjeshur dhe arriti të shfrytëzonte një kundërzbritje për rezultatin final.
Ishte minuta e 69’ kur një moment magjie i Lionel Messi rrëzoi Josko Gvardiol dhe gjithë mbrojtjen e Kroacisë, për t’i asistuar të riut Julian Alvarez, i cili shënoi edhe golin e dytë personal këtë mbrëmje. Goli i Julian vulosi rezultatin final 3:0.
Me këtë rezultat, Argjentina shkon në finale, ku pret për fituesin e çiftit Francë – Marok. Kjo do të jetë finalja e dytë e një Kupe Bote për Lionel Messin, pas asaj të vitit 2014.