Ministri i Financave i Republikës së Maqedonisë së Veriut z. Fatmir Besimi sot me ftesë të rektorit të UNT-së, Prof.dr. Izet Zeqiri ishte mysafir nderi në Universitetin ‘Nënë Tereza’ në Shkup, me ç’ rast zhvilloi ligjeratë para studentëve të ekonomisë me temë ‘Buxheti – sfidë për rritje ekonomike në kohë krize’.
Rektori i UNT-së Prof.dr. Izet Zeqiri në fjalën mirëseardhëse para studentëve tha se procedura për përpilimin dhe miratimin e një buxheti është e një rëndësie të veçantë për studentët e ekonomisë, e sidomos përpilimi i një buxheti në një kohë kur bota ballafaqohet me krizën post-pandemike, krizën energjetike dhe krizën e çmimeve që krijoi invazioni rus në Ukrainë.
Ministri Besimi tha se Buxheti është dokumenti më i rëndësishëm i një shteti, që miratohet nga qytetarët përmes të zgjedhurve të tyre në Kuvend.
Ai elaboroi procesin e përpilimit të buxhetit, që sipas tij fillon me dërgimin e projekteve nga ministritë që përbëjnë qeverinë, cikël ky që fillon një vit më herët, ndërsa qeveria selekton projektet prioritare.
‘Ministria e Financave kur të pranon projektet prioritare të qeverisë, krijon draft-buxhet, ku përfshihen edhe borxhet paraprake dhe projektet që dalin nga fondet e BE-së, që i marrim në cilësinë e shtetit kandidat. Buxheti edhe pse është kalendarik, dhe ka afat njëvjeçar ai planifikohet për një periudhë zhvillimore 5 vjeçare’, tha Besimi.
Draft – buxheti, shtoi ministri Besimi pastaj vendoset në diskutim të gjërë publik, politik dhe qytetar. Për vitin e ardhshëm janë paraparë mjete për amortizim të krizës pandemike, krizës energjetike dhe rritjes së çmimeve ndërsa i njejti parashef rritje ekonomike prej 2.9 për qind, inflacion prej 7.1 për qind dhe deficit buxhetore prej 4.6 për qind.
Pas ligjeratës ministri zhvilloi debat interaktiv me student dhe profesorë të ekonomisë.