Në një takim me afaristët e Kërçovës ku mori pjesë edhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti, udhëheqësi i shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, hoxhë Halil Kastrati, bëri të ditur se gjatë vitit që vjen, në Maqedoninë e Veriut do të ndërtohen 85 objekte banimi, nga të cilat 20 shtëpi do tu ndahen familjeve skamnore të Kërçovës.
Në kuadër të aksioneve të shumta humanitare gjatë 13 viteve të funksionimit, shoqata “Jetimat e Ballkanit”, për familjet në nevojë nga të gjitha trojet shqiptare, ka ndërtuar 1 mijë e 500 objekte banimi, ndërsa projekti i planifikuar për ndërtimin e 85 shtëpive në Maqedoninë e Veriut, që ndodhet në fazën e realizimit, kap vlerën investuese prej 2 milion Eurosh, tha humanisti Halil Kastrati, i cili me këtë rast i shprehu mirënjohje liderit të BDI-së Ali Ahmeti, aktivistit Shkodran Halili dhe afaristëve të komunës së Kërçovës, për mbështetjen që ato e japin në ndërtimin e 20 objekteve të banimit, të planifikuara për familjet skamnore të kësaj ane.
Të pranishmit i përshëndeti edhe aktivisti i njohur kërçovar Shkodran Alili, i cili në emër të shoqatës humanitare “Berza”, u ndau mirënjohje të gjithë atyre që kanë dhënë kontribut në aksionet humanitare të realizuara gjatë vitit 2022.