Gatishmëria luftarake e Armatës është në nivelin e duhur

Për gjendjen dhe realizimin e planeve dhe detyrave të Armatës të cilat ndikojnë në gatishmërinë luftarake të Armatës, sot në Shtatmadhorinë e Armatës dhe Ministrinë e Mbrojtjes ishte informuar presidenti dhe komandant suprem i Forcave të Armatosura, Stevo Pendarovski.

Marketing

Në brifingun për gatishmërinë luftarake të Armatës, kryeshefi i Shtatmadhorisë, gjeneral nënkoloneli Vasko Gjurçinovski dhe drejtori i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajori Zoran Mileski, para presidentit Pendarovski, ministres së mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, zëvendësministrit të Mbrojtjes, gjeneralët në Armatë dhe përfaqësues nga zyra e presidentit dhe ministres prezantuan situatën në Armatë sipas zonave funksionale që janë pjesë e gatishmërisë luftarake, duke theksuar se gatishmëria luftarake është në nivelin e duhur dhe se në vitin aktual ka realizuar me sukses të gjitha detyrat e planifikuara.

Para kreut ushtarak, u prezantuan detyrat dhe arritjet e realizuara të Armatës në vitin 2022, si dhe detyrat kyçe për vitin e ardhshëm 2023, duke përfshirë këto fusha: menaxhimi dhe morali i personelit, operacionet brenda dhe jashtë vendit, trajnimi dhe stërvitjet, mbështetja logjistike, planifikimi ushtarak dhe struktura e forcave, ndërlidhja dhe komunikimi, buxhetimi dhe bashkëpunimi civilo-ushtarak.

Gjatë brifingut, siç informon Ministria e Mbrojtjes, u theksua se gatishmëria e komandave dhe njësive të Armatës u shqua me realizimin në kohë të aktiviteteve me dinamikën e planifikuar në procesin e transformimit dhe zbatimit të planit të modernizimit, kryerjen e trajnimit sipas sfidave aktuale të sigurisë dhe standardeve të NATO-s, si dhe rritjen e pjesëmarrjes në operacionet jashtë vendit.

Ministrja Sllavjanka Petrovska, në fjalën e saj gjatë brifingut, theksoi se zhvillimi i mbrojtjes shihet qartë përmes rritjes së buxhetit të mbrojtjes në vitet e fundit.

Në brifing, siç informojnë nga Ministria e Mbrojtjes, presidenti Pendarovski ka theksuar se në vitin 2022 pjesëtarët e Armatës dëshmuan profesionalizmin, përkushtimin dhe gatishmërinë e tyre. Në vitin kur shënuam 30-të vjetorin e themelimit, tha presidenti Pendarovski. Armata edhe një herë e ka arsyetuar besimin e lartë që ka te qytetarët e Maqedonisë. Gjithashtu, presidenti Pendarovski theksoi se realizimi i stërvitjes ushtarake në shkallë të gjerë “Përgjigjja e Shpejtë 22” në poligonin ushtarak “Krivollak” dëshmoi kapacitetin e Armatës për të kontribuar në mbrojtjen kolektive dhe sigurinë e NATO-s, në një kohë të sfidave pas agresionit rus kundër Ukrainës.

Presidenti Pendarovski, thuhet në kumtesë, rikonfirmoi përkushtimin e tij për investime të mëtutjeshme në modernizimin dhe pajisjen e Armatës dhe arritjen e qëllimit të caktuar për ndarjen e 2 për qind të BPV-së për mbrojtje.

Brifingu për gatishmërinë luftarake është një detyrim i rregullt vjetor i kryeshefit të Shtatmadhorisë ndaj Komandantit Suprem, me qëllim të prezantimit të situatës në zonat që ndikojnë në gatishmërinë luftarake të Armatës dhe aktivitetet e planifikuara për vitin e ardhshëm.