Milloshoski: Ka deputetë të pakënaqur të pushtetit që janë për zgjedhje të parakohshme

“Në Kuvend ka komunikim mes të gjitha partive politike, ajo që kemi vërejtur në Kuvend është se deputetë të caktuar që i takojnë koalicionit qeverisës tashmë po japin sinjale se janë të pakënaqur me mënyrën se si qeveriset Maqedonia, veçanërisht nga pushteti ekzekutiv dhe sinjalet që na dërgohen neve si parti më e madhe opozitare, disa struktura brenda LSDM-së dhe BDI-së po mendojnë për zgjedhje të mundshme të parakohshme si opsion për ta testuar legjitimitetin e qytetarëve”, tha deputeti dhe anëtari i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski për “Sitel”.

Marketing

Milloshoski theksoi se disa deputetë të LSDM-së tashmë janë nën presion nga pushteti ekzekutiv.

“Disa deputetë të pakënaqur të LSDM-së, të cilët zgjedhjet e parakohshme i shohin si opsion, tashmë po marrin thirrje nga figura më me ndikim në pushtetin ekzekutiv për të rishqyrtuar mendimin e tyre, gjegjësisht janë nën presion të lehtë për të ndryshuar mendimin e tyre për zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, theksoi Milloshoski.

Ai ka theksuar se nuk përjashtohet iniciativa për interpelancë të qeverisë.

“Është në lojë opsioni i iniciativës së mosbesimit ndaj qeverisë, si mjet demokratik ku mund të kanalizohet kjo pakënaqësi e qytetarëve dhe e një numri më të madh të deputetëve”, thotë Milloshoski.