Brazili shpalli të hënën një gjendje emergjence gjashtë mujore për sa i përket shëndetit të kafshëve pasi u zbuluan disa raste të gripit të shpendëve tek shpendët e egër.
Reuters shkruan se dokumenti është nënshkruar nga Ministri i Bujqësisë Carlos Favaro.
Urgjenca shëndetësore është shpallur në të gjithë vendin për 180 ditët e ardhshme si masë paraprake. Shpallja e emergjencës e bën më të lehtë që të merren masa nga ana e qeverisë për të ndaluar përhapjen e virusit shumë infektin H5N1.
Brazili, eksportuesi më i madh në botë i mishit të pulës me 9.7 miliardë dollarë shitje vitin e kaluar, ka konfirmuar deri më tani tetë raste të H5N1 te shpendët e egër, shtatë në shtetin Espirito Santo dhe një në shtetin Rio de Zhaneiro.
Ministria e Bujqësisë e vendit tha të hënën se ka krijuar një qendër operacionesh emergjente për të koordinuar, planifikuar dhe vlerësuar “veprimet kombëtare në lidhje me gripin e shpendëve”.
Megjithëse shtetet kryesore prodhuese të mishit të Brazilit janë në jug, qeveria është në gatishmëri pas rasteve të konfirmuara.