Takim Besimi – Kamer: Republika e Maqedonisë së Veriut ka politika stabile dhe vijon me këtë kurs

Republika e Maqedonisë së Veriut e ruan stabilitetin makroekonomik dhe i reziston procesit reformues, duke u përballur me sfidat e krizës energjetike dhe asaj të çmimeve. Vitin e kaluar, këto politika mundësuan që FMN-ja të sigurojë qasje në Instrumentin e përkujdesjes dhe likuiditetit, me qëllim të përballjes me krizën dhe ruajtjes së stabilitetit në periudhë afatmesme. Kriza menaxhohet nga Qeveria, ku ruhet stabiliteti i financave publike, megjithatë kriza i vendosi lart në listën e prioriteteve çështjet për sigurimin e efikasitetit energjetik, diversifikimin e burimeve të energjisë dhe reagimin ndaj ndryshimeve klimatike. Kjo u theksua në takimin e ministrit të Financave, Fatmir Besimi me drejtorin e Departamentit të Evropës në FMN, Alfred Kamer, të mbajtur në margjinat e takimit të Konstituencës së FMN-së dhe Bankës Botërore, që mbahet në Tivar. “Zbatojmë reformë të rëndësishme në menaxhimin e financave publike. Ligj i ri i Buxheteve është miratuar dhe tashmë punohet sipas rregullave fiskale të vendosura në të, përkatësisht ato janë gërshetuar në buxhetin dhe strategjinë fiskale, përmes konsolidimit gradual fiskal, gjegjësisht uljes së deficitit buxhetor”, theksoi ministri Besimi.

Marketing

Ministri nënvizoi se, si pjesë e konceptit të ri të financave publike është edhe reforma tatimore, që është vlerësuar si pozitive nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Komisioni Evropian.

“Reforma tatimore nënkupton vendosjen e sistemit të ri tatimor modern dhe të drejtë, përmes rishikimit të preferencialeve tatimore. Zgjidhjet ligjore në të cilat punuam vitin e kaluar dhe që u përcaktuan në një proces të gjerë inkluziv, tashmë janë dorëzuar në kuvend, me ç’rast pritet miratimi i tyre për kohë sa më të shkurtër”, theksoi ministri. Duke iu referuar krizës dhe nevojës për përkrahje fiskale për tejkalimin e sfidave që janë si pasojë e saj, theksoi se, një pjesë e aktiviteteve që janë të orientuara drejt efikasitetit energjetik dhe diversifikimit të burimeve energjitike kanë dinamikë të përshpejtuar, prandaj në të ardhmen kjo gjë do ta ulë nevojën për përkrahje direkte nga buxheti. Përballja me sfidat që ishin si pasojë e krizës energjetike dhe me ato që shkaktojnë ndryshimet klimatike janë pjesë e politikave prioritare të Qeverisë për periudhën e ardhshme dhe do të jenë pjesë integrale e politikës buxhetore. Prandaj, kërkohet edhe qasja në programet e institucioneve dhe fondeve ndërkombëtare financiare, të cilat do ta përshpejtojnë tranzicionin energjetik dhe do të ndikojnë në ndryshimet klimatike.

Në këtë takim mori pjesë edhe guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska Bezhovska e cila gjithashtu do jetë prezente në Takimin e Konstituencës në Tivar. Përveç takimit me Kamer, ministri Besimi, në Tivar do të realizojë takime edhe me zëvendëskryetaren e Bankës Botërore, Antonella Bassani dhe zëvendëskryetarin rajonal në IFC, Alfonso Garcia Mora. Në kuadër të takimit të Konstituencës, ministri Besimi, nesër do të marrë pjesë në panelin e diskutimit me temë “Pikësynimi për stabilitet ekonomik / Konsolidimi fiskal dhe shtrëngimi i politikës monetare – cili është miksi optimal i politikave?” Mbi këtë temë do të debatojnë guvernatorët e bankave qendrore të Moldavisë, Armenisë dhe Rumanisë, ndërsa fjalim do të kenë edhe­­­­ Klaas Knot, kryetari i Bankës së Holandës dhe Alfred Kamer, drejtori i Departamentit të Evropës në FMN.