Nga tensionet në Zveçan mbesin të lënduar 11 pjesëtarë të KFOR-it, tre në gjendje të rëndë

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani ka bërë të ditur se 11 trupa italianë të NATO-s janë plagosur nga përleshjet në Zveçan me protestuesit.

Marketing

Tajani, ka thënë se tre prej tyre janë në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetë.

“Dua të shpreh solidaritetin tim me ushtarët e misionit të KFOR-it të cilët u plagosën në Kosovë gjatë përleshjeve ndërmjet demonstruesve serbë dhe policisë kosovare”.

“Mes tyre 11 italianë, 3 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Ushtria italiane vazhdon të angazhohet për paqen”, shkroi Tajani.

Ambasadori amerikan, Jeff Hovernier si dhe ai britanik, Nicholas Abbott, kanë dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës, trupave të NATO-së si dhe ndaj gazetarëve që ndodhën pasditen e së hënës në komunat veriore.

Hovenier, duke bërë thirrje për ndalim të veprimeve që nxisin tensionet, ka thënë se KFOR-i është aty për të ruajtur paqen.

“SHBA-të dënojnë fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve sot në Zveçan, përfshirë përdorimin e eksplozivëve kundër KFOR-it, trupave që kërkojnë të ruajnë paqen. Ne përsërisim thirrjen tonë për një ndalim të menjëhershëm të dhunës ose veprimeve që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, shkroi Hovenier.

Ndërsa Abbott u shpreh se sulmet ndaj KFOR-it janë kriminale.

“Sulmet ndaj personelit të KFOR-it dhe gazetarëve janë kriminelë dhe të papranueshme. Siç e ka bërë jashtëzakonisht të qartë QUINT-i duhet të ndërmerren veprime menjëherë për të de-përshkallëzuar dhe ulur tensionet”, shkroi Abbott.

Gjatë shpërndarjes së protestuesve serbë, në veri, ushtarët e KFOR-it janë sulmuar me dhjetëra shok-bomba, mjete të forta dhe lëndë tjera djegëse.

Protestuesit kanë djegur edhe veturën e KFOR-it, në të cilën më herët kishin shkruar shkronjën Z, që është edhe simbol i rusëve në Ukrainë.