Administrata gjyqësore kërkon kthimin e shtesës së rrogave deri në 35%

Dolën në protestë për një orë sa kishin marr leje nga puna, por shprehja e revoltës nuk zgjati më shumë se 15 minuta. Punonjësit e administratës gjyqësore mesditën e së martës protestuan para godinës së Gjykatës Penale në Shkup për rritje të pagave. Në duar mbanin mbishkrimet me kërkesë për rritje 35%. Parulla e tyre ishte: “Nëse ka paga Evropiane për ju – duhet të ketë paga evropiane edhe për ne”. Kjo është protesta e parë e këtij lloji e organizuar nga Sindikata e Pavarur e Administratës Shtetërore, të cilët kërkojnë nga Këshilli Gjyqësor që të miratojë kërkesën e administratës për kthimin e shtesës së pagave.

Marketing

“Kërkojmë te Kryetari i Këshillit Gjyqësor të na kthej shtesën e pagave deri më 35% dhe urgjentisht të miratohet ligji për nëpunësit gjyqësor që tani e një vit po zvarritet. Ne marrim pjesë në përpilimin e tij, por nuk i shihet fundi. Ato mjete janë nga buxheti i gjykatave nuk janë nga Ministria e Financave, sepse buxheti i gjykatave mbushet nga mjete të ardhura paushallë të proceseve gjyqësore”, tha Jasmina Veliçkova, Kryetare e Sindikatës së pavarur të shërbimit gjyqësor.

Sa për krahasim, me rritje të pagave të Gjykatësve deri më 78%, tani pagat bruto të atyre që “godasin me çekan” janë mbi 2 mijë deri në 2,600 euro pa llogaritur shtesat e përvojës së punës apo stazhit.

Pagat e Gjykatësve me rritje
Gjykatës në Gjykatën Themelore me pagë bruto prej 138,147 denarë pa llogaritur përvojën në punë
Gjykatës në Gjykatën e Apelit me pagë bruto mujore 152,438 denarë pa llogaritur përvojën në punë
Gjykatës në Gjykatën Administrative me pagë bruto 157,202 denarë pa llogaritur përvojën në punë
Gjykatës në Gjykatën e Lartë me pagë bruto mujore 159,584 denarë pa llogaritur përvojën në punë
Gjykatës në Gjykatën Supreme me pagë bruto mujore 161,966 denarë pa llogaritur përvojën në punë

“Përveç se u refuzua kjo kërkesë, u miratua vendimi që shtesat e pagave të na hiqen edhe për muajin maj. E tregojmë këtë pakënaqësi sepse 90% e të punësuarve në administratën gjyqësore janë në pragun e ekzistencës. Paga mesatare neto për ta është 25 mijë denarë, përderisa shporta e konsumit për një familje katër anëtarësh ka arritur në 50 mijë denarë në muaj”, deklaroi Renata Georgievksa, Zv.Kryetare e Sindikatës së pavarur të shërbimit gjyqësor.

Për shkak të shfuqizimit të nenit të njëjtë me të cilin funksionarët morën rritje të pagave prej 78%, rreth 6 mijë punonjës të administratës gjyqësore kanë mbetur pa shtesa të pagave që i kanë marrë vite me radhë. Nga Sindikata e pavarur e administratës së gjykatave kërkojnë ndryshimin e Rregullores për ndryshe zotohen se pas një jave sërish do të dalin në protestë. Nuk e përjashtojnë as grevën e urisë. Edhe disa vite më parë, për të njëjtën arsye, administrata gjyqësore la vendet e punës për shkak të pakënaqësisë dhe hyri në grevë periudhë më të gjatë për të marrë paga më të larta dhe shtesë.