Besimi: Vazhdon mbështetja e ekonomisë me mjete të favorshme nga BEI, në Kuvend u miratua ligji për linjën kreditore prej 100 milionë eurove

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut siguroi edhe 100 milionë euro të tjera nga Banka Evropiane e Investimeve për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për tejkalimin e sfidave që rezultojnë nga kriza energjetike dhe ekonomike. Dje, kuvendi miratoi zgjidhjen ligjore të përpiluar nga Ministria e Financave për garancinë lidhur me Marrëveshjen e huasë së këtyre mjeteve.
“Me anë të këtyre mjeteve, i ndihmohet komunitetit të biznesit, me qëllim të sigurimit të kapitalit të ri për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe për ndërmarrjet me kapital të mesëm dhe projektet e tranzicionit të gjelbër, sipas masave ekonomike të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për mbrojtjen e konsumatorëve dhe kompanive nga kriza energjetike. Kjo ka rëndësi të madhe për tejkalimin e problemeve që rezultojnë nga kriza botërore energjetike dhe ekonomike, që në mënyrë direkte ndikon mbi punën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Marketing

Ato nënkuptojnë përkrahje për projekte të reja, punësime të reja, rritje të likuiditetit të ekonomisë, rritje të eksportit, tranzicion të gjelbër, si dhe ruajtje të pozitës konkurruese të kompanive”, deklaroi ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Me qëllim të tejkalimit të problemeve të shkaktuara nga kriza botërore energjetike dhe ekonomike, e cila drejtpërdrejt goditi punën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, Qeveria miratoi masa për stimulimin e punës së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes modaliteteve për stimulimin e procesit të prodhimit, sigurimin e likuiditetit të ndërmarrjeve, ruajtjen e vendeve të punës, si dhe ruajtjen e pozitës konkurruese të kompanive.

Linja kreditore do të plasohet përmes Bankës Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut, ndërsa për shfrytëzuesit e fundit mjetet do të jenë të disponueshme përmes bankave afariste me normë të favorshme interesi dhe me afate më të gjata pagese. Kompanitë do të mund t’i shfrytëzojnë ato si mjete qarkulluese dhe për investimet, ndërsa qëllimi është të sigurojnë kapital të ri dhe përkrahje likuiditeti.

Kjo është linja e shtatë kreditore që BEI ka realizuar përmes Bankës Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut, me të cilën përkrahja e përgjithshme e Qeverisë për sektorin privat arrin në 650 milionë euro.

Кјо paraqet edhe vazhdimësi të aktiviteteve për përkrahje të ekonomisë që Qeveria е realizon nëpërmjet Bankës Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut, ku u plasuan mjete edhe nga linjat kreditore të cilat ishin pjesë e pakos së miratuar të masave antikrizë me kushte të favorshme në dispozicion.

Gjithashtu, me miratimin e ndryshimeve dhe plotësimeve në Ligjin e Huamarrjes së Republikës së Maqedonisë, me hua nga BERZH-i, sipas Marrëveshjes së huasë së financimit të projektit “Ndërtimi i pjesës së re dhe rikonstruimi i pjesës ekzistuese, Beljakovcë – Kriva Pallankë – pjesa lindore e linjës hekurudhore të Korridorit VIII, faza 2, mundëson ridestinimin e mjeteve nga huaja e BERZH-it për përmbylljen e një pjese të punimeve ndërtimore në korridoret hekurudhore 8 dhe 10, gjegjësisht huaja nga BERZH-i, përveç punëve ndërtimore për ndërtimin e linjës hekurudhore nga Beljakovca në Kriva Pallankë (faza 2), duke përfshirë rindërtimin e pjesëve ekzistuese të linjës hekurudhore, do të shfrytëzohet edhe për finalizimin e përmirësimit të linjës hekurudhore nga Kumanova në Beljakovcë (faza 1), si dhe për finalizimin e përmirësimit të linjës hekurudhore të Korridorit 10. Ridestinimi i mjeteve të huasë së siguruar nga BERZH-i u mundësua me grantin e dhënë për realizimin e këtij projekti nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor – WBIF.