“Mirë se erdhe zoti President!”/ Tirana vijon përgatitjet për vizitën historike të Bill Clinton

Tirana ndizet nga ngjyrat kuqezi dhe flamujtë amerikanë në pritje të vizitës historike të Presidentit të 42-të të Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton.

Marketing

Ish-Presidenti amerikan mbërrin në orët e pasdites. Sipas agjendës, në orën 19.00, Clinton do të pritet nga kryeministri Edi Rama në një ceremoni të posaçme zyrtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë, me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve.

Nga pamjet e siguruara nga LSA shihet se si rrugët e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” janë të mbushura me flamujtë amerikanë dhe shqiptarë, sakaq një banderolë e madhe me foton e Clinton dhe mbishkrimin “Mirëseredhe zoti President!” është varur mbi fasadën e Politeknikut.

Clinton njihet edhe si President nderi për shqiptarët për shkak të ndikimit pozitiv që ka patur për Shqipërinë e Kosovën. SHBA nën udhëheqjen e Bill Clinton ndikoi në miratimin dhe realizimin e vendimeve të OKB-së për ndërhyrjen e NATO-së në Luftën e Kosovës në vitin 1999, çka detyroi presidentin e atëhershëm të ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, të pranonte kushtet e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund fushatës së tij ushtarake kundër UÇK-së.