Drejtoria doganore ka konfiskuar 90 mijë euro në aeroportin e Shkupit

Doganierët e njësisë doganore të Aeroportit kanë penguar tentativën për nxjerrje të paligjshme të devizave dhe kanë konfiskuar 90.000 euro pasi kanë kontrolluar pasagjerin H.A. i cili ka udhëtuar në linjën Shkup – Cyrih.

Marketing

Siç kumtuan sot nga Drejtoria doganore, pasagjeri, përndryshe shtetas i huaj, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit është paraqitur vetëm me një valixhe ngjyrë gri, pas së cilës është nisur për dalje nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe nuk ka paraqitur asgjë për kontroll doganor.

“Gjatë kontrollit të pasagjerit nga një doganier, në xhepat e përparmë dhe të pasmë janë gjetur 100 mijë euro, të cilat nuk janë deklaruar, me çka është kryer kundërvajtje nga neni 56-v paragrafi 2 të Ligjit për punë devizore. Në pajtim me ligjin, 10 mijë euro i janë kthyer, ndërsa 90 mijë euro të mbetura, për të cilat nuk ka pasur dokument, i janë mbajtur përkohësisht”, sqarojnë nga Dogana.

Ndaj personit është ngritur padi në gjykatën kompetente për kundërvajtje devizore.