Gjykata Kushtetuese do të vlerëson kushtetutshmërinë e procedurës së publikimit të udhëzimit për përcaktimin e përkatësisë kombëtare në certifikatat e lindjes, vdekjes dhe certifikatat martesore. Deri atëherë mbi fuqinë e masës së përkohshme, nuk do të lëshohen certifikata në të cilat do të shkruhet kombësia.
Arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese është se vendimi për udhëzimin e ri është publikuar me vonesë në Gazetën Zyrtare. Ky lëshim është bërë nga Sekretariati për legjislacion në kuadër të Qeverisë. Por ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga e nxori blof Gjykatën Kushtetuese. Para opinionit shpalosi dhjetëra vendime të institucioneve të ndryshme të cilat kanë shkelur afatin për publikim në Gazetën Zyrtare e që nuk janë shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese me vetiniciativë për vlerësim kushtetutshmërie. Lloga tha se kjo hap kutinë e Pandorës.
“Kjo është hapja e kutisë së Pandorës. Mua më vjen mirë që ndodhi kjo me udhëzimin që të mund të del e vërteta në shesh. Ajo që më vjen keq është se si Gjykata Kushtetuese deri sot nuk e ka gjet të udhës të gjitha akte nënligjore t’i konstaton se janë në kundërshtim me ligjin dhe t’i shpall të pavlefshme. Unë sot nuk kam prit ndalesën e përkohshme sepse prisja që të rrëzohet. Bëhet fjalë për anën formale dhe jo për anën përmbajtjesore të dokumentit”, tha Krenar LLoga, Ministër i Drejtësisë.
I pari i dikasterit të Drejtësisë inkurajoi Kushtetuesen që të sjell vendim urgjent, ndërsa paralajmëroi se të gjitha shpalljet e shpalosura sot do t’i inicion në kushtetuese për vlerësim. Në të përfshihen vendimet të Qeverisë, komunave por edhe vetë Gjykatës Kushtetuese.
“Nuk duhet të blihet kohë me masën e përkohshme, por ftoj Gjykatën Kushtetuese që të njëjtën ta hedh poshtë. Në ndërkohë paralajmëroj një udhëzim plotësisht të ri ku do të përsëritet e njëjta gjë dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare e kështu të mbetet në fuqi”, u shpreh Krenar LLoga, Ministër i Drejtësisë.
Ndërkohë në Kushtetuese ka edhe një nismë të iniciuar nga partia E Majta që i referohet aspektit formal përmbajtjesor të vendimit. Sipas nismës, vendimi i ministrit Lloga bie në kundërshtim me Konventat dhe vlerat Evropiane. Në këtë kontekst, Lloga mirëpriti qasjen e partisë E Majta si subjekt i cili angazhohet për ruajtjen e vlerave Evropiane në vend. Udhëzimi për përcaktimin detyrues të kombësisë në certifikatat e lëshuara nga Evidenca amë u nënshkrua më 29 maj, ndërsa në Gazetën Zyrtare u publikua më 15 qershor. Sipas nenit 52 të Kushtetutës, ligjet dhe rregullat tjera shpallen në Gazetën Zyrtare më së voni 7 ditë nga dita e sjelljes apo miratimit të tyre.